Nga: Ola Mitre
Të gjithë psikologët kanë afat deri në datën 30 dhjetor për t’u bërë pjesë e Asamblesë së Parë, nga e cila do të dalin dhe organet kryesore të Urdhrit të Psikologut. Përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Dr. Valbona Treska, anëtare e Komisionit të Përkohshëm për Urdhrin e Psikologut sqa-ron në detaje procedurat që ndiqen për regjistrim dhe dokumentet e nevojshëm për dorëzim. Po ashtu, Treska thekson se anëtarësimi në ‘Urdhër’ është një detyrim për licencimin dhe ushtrimin e profesionit.
Znj. Treska, kush ka detyrimin për t’u regjistruar në Urdhrin e Psikologut?
Sipas ligjit të miratuar në maj “Për Urdhrin e Psikologut” kanë detyrim që të regjistrohen në Urdhrin e Psikologut të gjithë personat që kanë përfunduar 2 cikle studimi në “Psiko-logji”, që do të thotë Bachelor dhe Master në “Psi-kologji” ose ata që kanë një diplomë ekuivalente me Bachelor-in dhe Master-in, që është diploma e 4-vjeçarit në “Psikologji”. Kur them Master mbaj parasysh edhe masterin profesional dhe atë shkencor. Ka dhe një kategori të dytë të personave që duhet të regjistrohen, që janë ata individë që kanë mbaruar 2 cikle studimi në Psikologji, por jo Bachelor, që do të thotë se ka mbaruar Masterin dhe Doktoraturën po në Psikologji, por këta persona duhet të kenë 5 vjet përvojë pune në ushtrimin e profesionit të psikologut.
Çfarë dokumentesh duhet të paraqitin për t’u regjistruar?
Të gjithë personat që bëjnë pjesë në grupin e parë duhet të paraqesin fotokopje të diplomës së Bachelorit dhe Masterit ose të di-plomës së ciklit 4-vjeçar, një fotokopje të kartës së identitetit, një dëshmi penaliteti që nuk është i dënuar më parë dhe një deklaratë që shkarkohet nga faqja zyrtare e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ky është një dokument ku çdo person që regjistrohet pra-në Urdhrit të Psikologut deklaron se do të zbatojë të gjitha ligjet në fuqi. Kategoria e dytë (me 2 cikle studimi + 5 vjet përvojë pune), përveç këtyre 2 dokumenteve duhet që të dorëzojë dhe vërtetimin e punës, pra të vërtetojnë që kanë 5 vjet përvojë pune si psikologë.
Ku bëhet dorëzimi i dokumentacionit?
Të gjithë dokumentet dorëzohen deri në datën 30 dhjetor në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ka një zyrë që është hapur vetëm për dorëzimin e dokumenteve dhe funksionon që në orët e para të mëngjesit deri në 16:00.
Çfarë ndodh në rast se psikologët nuk regjistrohen në “Urdhër”?
Nëse nuk regjistrohesh te Asambleja e Parë nuk ka problem, ndonëse është kënaqësi dhe detyrim të regjistrohesh sepse ti bëhesh pjesë e Urdhrit të Psikologut dhe pas një periudhe kohe do të licencohesh për të ushtruar profesionin. Për ata që nuk regjistrohen në Asamblenë e Parë, regjistrimet do të jenë të hapura. Domethënë pasi ngrihet Urdhri i Psikologut dhe zgjidhen organet drejtuese, do të ketë përsëri regjistrime për individët që përfundojnë studimet më tej.
Licencimi do të jetë kusht për ushtrimin e profesionit, sikurse ndodh me urdhrat e tjerë profesionalë?
Do të jetë një nga kriteret për të ushtruar profesionin çka do të thotë se pa u regjistruar në Urdhër nuk e ushtron dot profesionin e psikologut.
Regjistrimi është me pagesë?
Regjistrimi është pa pagesë. Të gjithë dokumentet janë fotokopje, që do të thotë se askush nuk shpenzon asgjë nga ana financiare për t’u regjistruar në Urdhër. Kjo ka qenë dhe një nga politikat e MMSR-së, që dokumentet të mos jenë të noterizuara, në mënyrë që të mos shpenzojnë.
(Shkrimin të plotë e gjeni në Gazeta Shqiptare print)
