SHBA – FBI-ja në SHBA po heton çdo detaj të jetës së Esteban Santiago, personi i cili ditën e djeshme vrau pesë persona dhe plagosi tetë të tjerë në aeroportin “Fort Lauderdale” të Floridas.
Edhe pse ditën e djeshme media të ndryshme amerikane deklaruan se 26-vjecari ishte një person me probleme mendore, kreu i FBI-së në Majemi George Piro nuk përjashtoi terrorizmin.
“Nuk përjashtojmë asgjë, as terrorizmin. Po hetojmë me imtësi për të përcaktuar motivet e këtij sulmi”- deklaroi ai në konferencën për shtypin, që u mbajt menjëherë pas ngjarjes së tmerrshme në aeroport.
Esteban Santiago me origjinë portorikane do të dalë përpara gjykatës së BroWard County ditën e hënë.
FBI konfirmon se ky person ka probleme mendore dhe mendohet se ka thënë më parë këto fjalë në nëntor te 2016-ës: “Qeveria më kontrollon mendjen dhe më bën të shoh video xhihadiste”.
Ai është një ish-ushtarak, i cili ka shërbyer në Irak për rreth një vit, nga periudha 23 prill 2010 deri në 19 shkurt 2011 dhe gjithashtu kishte marr dhe medalje nderi. Sipas mediave amerikane i riu ishte kthyer nga Iraku me probleme psikike dhe më pas ishte transferuar në Alaska me partneren dhe djalin e tyre 4 vjec.
Ndërkohë vëllai i tij, Bryan Santiago gjithashtu konfirmoi se Esteban i ishte nënshtruar një sërë kurash psikike menjëherë sapo ishte kthyer nga Iraku.
Sipas policisë amerikane, 26-vjeçari pasi ka marrë çantën, ku kishte armën ka shkuar në tualet dhe e ka mbushur atë. Pas këtij momenti ai ka dalë dhe ka qëlluar ndaj personave të tjerë. I riu ka debatuar me pasagjerët e tjerë gjatë fluturimit para se të merrte armën dhe të qëllonte ndaj kujtdo që i dilte përpara.
(er.cu/BalkanWeb)