TIRANË-Akuzat e deputetit Tom Doshi për vrasje me pagesë kanë sjellë dhe shoqërimin e parë në polici. Një 36-vjeçar nga Fushë Kruja, i quajtur Durim Bami, është shoqëruar nga uniformat blu, si personi që dyshohet se ishte porositur për të kryer vrasjen e deputetëve dhe ishte penduar për atentatin, duke e lënë tentativë.

Shoqërimi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe është sjellë në masa të rrepta sigurie nga RENEA, i veshur edhe me antiplumb, në orën 11:00, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

“News 24” zbuloi profilin e tij dhe të kaluarën me precedentë penalë.

Gazetari Spartak Koka bëri me dije se Durim Bami u mor në pyetje nga Shefi i Krimeve të Rënda, Ilirjan Balla. Bami u kap në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi. Pas përmendjes së emrit të tij në media një ditë më parë, Bami u kap teksa tentonte të kalonte kufirin në Hanin e Hotit dhe u transportua në Tiranë me autoblinda të Policisë.

Sipas Policisë, Durim Bami është shpallur në kërkim mbrëmjen e djeshme me kartelë jeshile në cilësinë e personit, që ka dijeni dhe informacion për rrethanat dhe autorët e ngjarjes ku shpërtheu automjeti i biznesmenit Edmond Kadiu në Fushë Krujë.

Prej të paktën 6 orësh, vijon marrja në pyetje në dhomat e shoqërimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës së 36-vjeçarit. Grupi hetimor përbëhet nga prokurorë të Krimeve të Rënda dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të Sektorit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit. Ndër të tjera ai ka thënë se “nuk kam dijeni për shpërthimin tek makina e E. Kadiut.”

Shoqërimi i tij vjen vetëm një ditë pasi vetë deputeti bëri publike para medias, fill pas vendimit për përjashtimin e tij nga PS-­ja, se ka informuar strukturat përgjegjëse për planin mbi vrasjen e tij, duke akuzuar Metën si personin që ka paguar para për zhdukjen e tij dhe të deputetit Mëhill Fufi.

PROFILI I DURIM BAMIT

“News24” zbulon të kaluarën kriminale të Durim Bamit, 36-vjeçarit, lindur dhe banues në Fushë-Krujë. Bami ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje. Ai është dyshuar për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K. Aktualisht, Bami mbante në ruajtje disa kazino në Fushë-Krujë. Dje, ai u shpall në kërkim nga policia me kartelë.

Vetem një javë më parë, ky person, cilesuar nga policia si shtetas me precedente penal i shpëtoi tentativës për atentat me lëndë eksplozive. Automjetit te tij tip “BMW X5″ në Fushë Krujë iu vendos rreth 200 gr eksploziv, por që është identifikuar pa arritur të shpërthente. “Mjeti me targa AA 858 IS, ishte parkuar në lagjen “Grumbullimi” në qendër të Fushë Krujës, ku dhe është evidentuar tritoli mëngjesin e 22 Shkurtit. “Automjeti i perket shtetasit Durim Bami, i njohur nga policia si person me precedentë kriminalë, i cili mendohet se ka qenë shenjestra e atentatit”­, njoftoi diten e ngjarjes policia. Sasia e lëndës eksplozive, tip tritol, u gjet në rrotën e përparme të automjetit dhe lidhja e tij ishte bërë në mënyrë të tillë që automjeti do të hidhej në erë sapo të niste lëvizjen.

Durim Bami rezulton si personi i fundit që ka takuar shtetasin Enver Stafuka, i zhdukur prej një muaji. Po kështu, ai rezulton i dënuar më parë me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes.

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb