TIRANE-Deputeti Tom Doshi deklaroi sot se do të vazhdojë betejën e tij ligjore për tu zbardhur e vërteta, ndërsa akuzoi për kallëzim të rremë ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, si dhe deputetin e LSI-së, Spartak Braho.

Teksa la ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, nga ku mori të gjitha provat dhe dokumentet që kishte dorëzuar në lidhje me dyshimet e tij për vrasjen e tij dhe kolegut, Mhill Fufi, Doshi tha se pas kësaj skene fshihen Tahiri, Meta dhe Braho.

Sipas tij, dëshmia e ministrit Tahiri nuk ishte e njëjta si në konferencën e detajuar për shtyp, dhe para Prokurorisë. Po ashtu, ligjvënësi Doshi pohoi se disponon pamje filmike të udhëtimit të Spartak Brahos në Hanover, ku sipas tij takoi Fatjon Skënderin.

“Unë do ti bëjë publike të gjitha mashtrimet, që nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri që në konferencë të shtypi tjetër gjë ka thënë dhe tjetër gjë tha para prokurorëve. Po ashtu dhe Ilir Meta, dhe Spartak Brahon që thotë se nuk e njeh fajton Skënderin. Kam prova që ka bërë telefonata para dhe pas dëshmisë, më duhet vetëm një përkthyes në gjuhën gjermane. Sot do nisim hetimin në themel. Loja që bëri Spartaku, në Gjermani, siç tha Meta, që iku të shoh nënën, do dalin në shesh. Braho ka deklaruar se nuk e njoh Fajton Skënderin, ka folur me Imer Lalën.”, tha Doshi.

Nga ana tjetër, Doshi tha se duke marrë shkas nga këto fakte, Prokuroria duhet të nis hetimet. “Spartaku ka bërë dëshmi të rrëme para prokurorëve. Prokuroria është e detyruar të hetojë. Do bëj kallëzim. Sot kemi marrë të gjitha provat, dhe videon, dhe presion është ushtruar ndaj Bamit. Dhe vetë Spartaku ka shkruar tek Durimi. Do nisim hetimet me Spartakun, Ilirin. Ne disponojmë të gjitha pamjet e Hanoverit. Sot u detyruar që të na i japim të gjitha provat. Kemi dëshmitë, që janë bërë, që nga Rama e Berisha. Poshtërisë më të madhe i ka bërë Saimir Tahiri. Do t’i ballafaqojë dhe do ta merrni vesh të gjitha ju shqiptarët se ça ka thënë Saimir Tahiri dhe se ka bërë kallëzim të rremë.”, deklaroi Doshi.

Vazhdimin e betejës ligjore e konfirmoi dhe avokati i tij, Ferit Muça. “Janë prova me të cilat ne do të njihemi në vijim, dhe më pas do të bëjmë kërkesat tona. Do të vazhdojmë betejën tonë ligjore. Nuk janë mbyllur hetimet, do njihemi me këto prova dhe më pas do paraqesim pretendimet tona. Nuk mund t’ju them asgjë për momentin se cili është kallëzim i rremë. Kemi marrë provat në CD dhe pasi të njihemi me to do të paraqitemi para organit të akuzës me qëndrim zyrtar”., -tha Muça.

Doshi në prokurori
Deputeti Tom Doshi është paraqitur sot në Prokurori për të marrë të gjitha provat dhe dokumentet që kishte depozituar si fakte për tentativën e vrasjes së tij dhe kolegut, Mhill Fufi.

Doshi është paraqitur në ambientet e organit të akuzës në prani të avokatit të tij, Ferit Muça.Sakaq, mësohet se prej aty, Doshi do të marrë dhe videon e dorëzuar, në të cilën është regjistruar momenti i ballafaqimit mes tij dhe Durim Bamit.

Pas një hetimi nga ana e prokurorisë, provat e ligjvënësit Doshi u quajtën të pavlefshme, ndërsa e ka quajtur një sajesë. Kësaj radhe, deputeti nuk është paraqitur si çdo të hënë para oficerit të policisë gjyqësore, për të mbajtur kontaktet, në kuadër të vendimit të dhënë nga organi i akuzës.

Gjatë raportimit për News24, gazetarja Klodjana Lala ka pohuar se kjo mund të jetë hera e fundit që ai paraqitet në prokurori, pasi çështja do transferohet në Gjykatën e Lartë.

Deputeti Doshi, pak kohë më parë u arrestua e më pas iu caktua masa e sigurisë “arrest shtëpie” pasi u akuzua se sajoi një skenar për vrasjen e tij dhe të deputetit të PD-së Mhill Fufi. Ai u akuzua për “Kanosje për deklarime e dëshmi, ekspertim, ose përkthim të rremë”, “Kallëzimit të rremë” dhe për “Deklarata të rreme përpara prokurorit”
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: