SHKODER – Një konflikt i nisur në një lokal me muzikë live ka përfunduar me një të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur, mbrëmjen e djeshme në Shkodër. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës bënë me dije se ngjarja e rëndë, ku u ekzekutua me armë zjarri 19-vjeçarja Elsa Tusha dhe u plagosën 30-vjeçari Paulin Ndoja dhe 56-vjeçari Selim Aleti, ndodhi në vendin e quajtur Kryebushat. Pas kryerjes së veprimeve hetimore, dyshohet se në konflikt janë përfshirë dy grupe personash, të cilët fillimisht janë konfrontuar fizikisht. Ndërsa, dyshohet se kanë qenë dy persona që kanë qëlluar me armë zjarri (pistoletë) në drejtim të Paulin Ndojës dhe 19-vjeçares, me të cilën ai ishte i shoqëruar. Sipas hetuesve të çështjes, 56-vjeçari Aleti është plagosur aksidentalisht, pasi nuk ka qenë në shënjestër të autorëve të krimit. Ndërkohë policia e Shkodrës bën të ditur se ka shoqëruar 31-vjeçarin V.T, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në vrasje, ndërsa është shpallur në kërkim autori i dyshuar, shtetasi M.A.
VRASJA

Rreth orës 21:50, në lokalin “Argent”, i cili ndodhet në rrugën nacionale Shkodër-Lezhë janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta dy grupe personash, të cilët kanë qenë duke pirë në dy tavolina të ndryshme. Mësohet se pas debateve të ashpra dhe sharjeve të ndërsjellta, ata kanë nisur të përleshen në lokal. Më pas sherri mes palëve ka vijuar në ambientet jashtë lokalit dhe ka degjeneruar deri në përdorimin e armëve të zjarrit.

Burime pranë grupit hetimor pohuan se 56-vjeçari Selim Ajeti nga fshati Bërdicë i Shkodrës ka ndërhyrë për të ndarë personat e përfshirë në konflikt, por ka mbetur i plagosur. Ndërkohë, 30-vjeçari Paulin Ndoja nga fshati Kaç-Naraç, i cili shoqërohej nga 19-vjeçarja Elsa Tusha ka tentuar që të largohet me automjetin e tij tip “BMW X5” me targa SH 6969 E dhe me ngjyrë gri. Në atë moment, dy persona kanë qëlluar në drejtim të tij me pistoletë. Për pasojë plumbat kanë lënë të vdekur në vend vajzën, lindur në Pukë dhe banuese në fshatin Kaç-Naraç të Shkodrës. Ajo është gjetur e pajetë brenda në makinën e 30-vjeçarit, ndërsa ka mbetur i plagosur dhe ky i fundit. E ndërsa, autorët e krimit janë larguar me shpejtësi, dy të plagosurit janë dërguar urgjentisht në spitalin Rajonal të Shkodrës, ku iu është dhënë ndihma e parë mjekësore. Bluzat e bardha të këtij spitali pohuan se dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
HETIMI
Uniformat blu kanë shkuar shpejt në vendngjarje dhe kanë marrë dëshmitë e para në lidhje me konfliktin. Gjatë këqyerjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 gëzhoja pistolete të tipit “TT”. Sipas grupit hetimor, konflikti ka marrë shkas për motive banale dhe se po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 15 persona në lidhje me ngjarjen.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: