Xhani De Biazi konfirmon se ka zhvilluar gjatë këtij sezoni bisedime konkrete për të marrë drejtimin e skuadrës së Palermos. Në një intervistë për “TMW”, trajneri i kuqezinjve ka zbuluar bisedat me ish-presidentin Mauricio Zamparini, por edhe se në fund kishte vendosur që të qëndronte te Kombëtarja shqiptare e futbollit.

Por ai nuk është i sigurt nëse do të vazhdojë përsëri të jetë kuqezi pas mbylljes së këtij edicioni të Botërorit 2018. Batuta “zgjedhjet bëhen nga të dy palët” lë të kuptohet mjaft mirë se mes tij dhe FSHF, dikush po heziton për të folur rreth një rinovimi të mundshëm.

E vështirë të besosh se Krotone dhe Peskara kanë ende motivim…

Jo. Kanë krenarinë e atij që do të tregojë që ndonëse kampionati është i përfunduar, mund të ketë një të ardhme në Serinë A.

Kush mund të luftojë ende, ndoshta është Palermo. A ka shpresa?

Nuk besoj. Sepse do t’i duhej të bënte një rikuperim të bujshëm… kam luajtur tre vite atje, mua do të më pëlqente të ishte ashtu. Matematika nuk i dënon ende, të shohim…

Meqë ra fjala te Palermo: ju këtë vit mund ta kishit drejtuar atë skuadër…

Kam folur dy herë me Zamparinin. Por nuk kisha dëshirë që të hiqja dorë nga Kombëtarja. Nuk ishin kushtet e duhura.

Në rastin tuaj u fol edhe për Kaljarin.

Nëse me Zamparinin kishte kontakte direkte, me Kaljarin kontaktet nuk ishin të tilla.

Shumë shpejt do të ktheheni në Palermo me Kombëtaren, më 24 mars në Itali-Shqipëri.

Shkova atje një muaj më parë për të parë hotelin, stadiumin, logjistikën. Është gjithmonë një kënaqësi. Kur shkoj në Palermo është praktikisht një kthim në të kaluarën. Atyre që janë ende gjallë (qesh) mendoj se u kam lënë një kujtim të bukur.

De Biazi

Ndërkohë Zamparini do të largohet nga Palermo. Ose të paktën kështu duket…

I ka dhënë shumë Palermos dhe ka bërë që të jetojë një ëndërr piacës e cila vërtitej në Serinë B. Ka bërë gjëra të mëdha, ky nuk ishte viti më i mirë. Por ajo që ka bërë do të mbetet në histori.

Ndërkaq ka polemika mes Juves dhe Napolit…

Në futboll ekzistojnë gjithmonë polemikat… më pak polemika shoh në Angli. Te ne ka gjithmonë një ndeshje pas ndeshjes, ky është një nga aspektet më pak të këndshëm.

Seria A, cila është surpriza?

Atalanta. E jashtëzakonshme. Shkova dy ditë të ndiqja stërvitjet, është një ambient i shëndoshë me të rinj të talentuar që po gjejnë rritjen e duhur. Edhe Gasperini ka shtuar diçka. Shumë lojtarë do të jenë e ardhmja e Kombëtares, nga Konti te Spinacola dhe Kaldara. Pastaj edhe portieri im po bën gjëra pozitive, jam i lumtur.

Po lojtari zbulim i sezonit?

Beloti. I jashtëzakonshëm. Më pëlqen shumë. Është shumë punë dhe pak fjalë. Një nga gjërat më të mira që ka.

Mister, po e ardhmja juaj? Përsëri në drejtimin e Shqipërisë?

Mbyll kontratën në fund të sezonit, do të flasim përsëri. Zgjedhjet bëhen nga të dy palët.

A do ta merrnit në konsideratë drejtimin e një klubi?

Nëse ekziston dëshira për të bërë një projekt serioz, përse jo?/panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: