Nga KLODIANA LALA*

Lirohet me kusht, ish-drejtori i ‘fabrikës së vdekjes’ në Gërdec, Dritan Minxolli. Vendimi u mor pak ditë më parë, nga gjykatësi Petrit Çomo, i cili pasi shqyrtoi kërkesën e Minxollit, vendosi t’i japë atij lirinë. Sipas vendimit të gjykatës, Dritan Minxollit i kishin mbetur për të vuajtur dhe një vit, 11 muaj e tri ditë burg. Në vendimin e saj, gjykata përdor tri argumente për lirimin me kusht të Dritan Minxollit, sipas të cilave, ai ka vuajtur tri të katërtat e dënimit të dhënë nga drejtësia për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, ka sjellje të mirë në burg, përgjatë gjithë kohës së qëndrimit. Argumenti i fundit, është se Dritan Minxolli, ka firmosur një kontratë pune me një kompani, si menaxher shitjesh, duke siguruar në këtë mënyrë të ardhurat për familjen e tij.

Sjellja e të dënuarit

Një ndër kriteret që një i dënuar duhet të plotësojë për të përfituar liri me kusht, është sjellja që ka shfaqur në burg, përgjatë vuajtjes së tre të katërtës së dënimit. Në fakt, nga vlerësimi që i është bërë sjelljes së Dritan Minxollit, rezulton se ai është karakterizuar nga një sjellje korrekte dhe asnjëherë nuk ka marrë masë disiplinore. “Sipas vlerësimit të sjelljes së të dënuarit Dritan Minxolli, të lëshuar nga IEVP Vaqarr Tiranë, rezulton se kërkuesi, gjatë vuajtjes së dënimit në këtë institucion, si dhe në institucionet e tjera ku ka vuajtur dënimin, është karakterizuar nga një sjellje shumë e mirë dhe ka marrë vlerësime sjelljeje pozitive nga institucionet e tjera ku ka vuajtur dënimin. Duke iu referuar edhe vlerësimeve të mëparshme të sjelljes, si dhe periudhës së vuajtjes së dënimit në institucion, kërkuesi ka respektuar me përpikëri rregulloren dhe nuk ka masë disiplinore.

Ka shfaqur sjellje pozitive dhe qëndrim korrekt. Nuk ka kryer dhe nuk ka marrë pjesë në akte apo veprimtari, të cilat cenojnë qetësinë dhe sigurinë në IEVP. Zhvillon një komunikim të drejtë me personelin e institucionit, duke respektuar normat dhe mban marrëdhënie korrekte, pa u përfshirë në situata konfliktuale. Ka manifestuar sjellje korrekte me bashkëvuajtësit, duke zhvilluar një komunikim normal. Nuk ka kryer veprime, të cilat cenojnë liritë dhe të drejtat e të burgosurve të tjerë. Nuk ka tentuar të largohet pa leje dhe nuk është larguar nga vendi i qëndrimit të tij të detyrueshëm. Nuk ka mbajtur ose shpërndarë sende që mund të përdoren për të dëmtuar jetën, shëndetin e personave të tjerë, sigurinë në institucion, apo sende personale që janë të ndaluara”, thuhet në vendim. Madje, edhe në raportin e hartuar nga institucioni i Shërbimit të Provës, rezulton se i është mëshuar këtij fakti, duke i dhënë edhe ky institucion dritën jeshile për lirim Minxollit.

Kontrata e punës

Paraqitja përpara gjykatës e një kontrate pune, duket se ka qenë një plus më i madh që Dritan Minxolli të fitonte lirinë me kusht.
“Kërkuesi paraqiti dhe një kontratë individuale pune, të lidhur në dt. 03.01.2015, ndërmjet punëdhënësit, shoqërisë “Pxxx” sha, me përfaqësues ligjor (drejtor i përgjithshëm) F.Çaushi dhe punëmarrës Dritan Minxolli. Sipas kësaj kontrate, rezulton se punëdhënësi i përmendur më lart do ta marrë në punë punëmarrësin (kërkuesin) nëse lirohet me kusht, me detyrën menaxher i shitjeve, me pagë 35000 lekë në muaj. Pra kërkuesi e ka siguruar punësimin e tij në rast se pranohet kërkesa”, arsyetohet në vendim.

Botuar sot në Gazetën Shqiptare
(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb