Nga: MARIGLEN MËRTIRI*TIRANË-Mësuesit në Tiranë që kanë mbi 2 vite që janë me kontratë të përkohshme ka ardhur koha që të bëhen definitiv. Ndaj Drejtoria Arsimore e Tiranës ka mbi 70 vende vakante të cilat mësuesit me kontratë por edhe të tjerë nga portali “Mësues për Shqipërinë” kanë mundësi të konkurojnë për këtë vend pune. Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore të Tiranës Arjola Byzyka deklaron se tashmë kjo procedurë është hapur dhe janë shkollat që kanë shpallur këto vende ku kandidatët do të konkurojnë mes tyre para komisionit të shkollës dhe më pas intervistë para drejtorit të shkollës.
“Deri tani 70 ose më shumë procedura, jo mësues sepse nuk janë finalizuar akoma, ky proces është hapur në shkollat e Tiranës, kontratat kane filluar prej 2013, kanë 2 vite me kontratë, në momentin që hapet procedura e konkurimit ata do te konkurojnë me kandidatë të tjerë. Ka nje tabelë që vlerëson dokumentacionin dhe në varësi të pikëve ata drejtohen për intervistë te Komisioni i Shkollës”-sqaron Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore të Tiranës.
Sipas saj nga portali “Mësues për Shqipërinë” nga janari deri në mars janë rreth 30 mësues të punësuar dhe këto ritme sipas drejtoreshës do të vijojnë edhe në muajt në vijim.
“Janë punësuar 30 kandidate në profile të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme kjo pasi filloi procedura e pensioneve për shkak të ligjit të pensioneve. Tashme kemi filluar nga marsi të shkëpusim marrëdhëniet financiare dhe janë rekrutuar fituesit e portalit,” -bën me dije Byzyka.
Në testimin e portalit të dhjetorit ishin rreth 500 mësues që kandidonin për vetëm 5 vende pune në janar në profile të ndryshme. Ndërkohë një kërkesë të lartë dhe punësim po ashtu të lartë ka profili i matematikës në Tiranë.
(a.n/News24/BalkanWeb)
