TIRANE – Policia ka mundur të arrestojë autorin e dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 10.09.2017, ku është qëlluar me armë automjeti i shtetasit P. P.
Shërbimet e policisë te Komisariatit të Policisë nr. 4, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura me parë, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, organizuan zhvilluan dhe finalizuan operacionin e koduar “Silenciatori”.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: – Edmond Saraçi, 53 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë të komisariatit nr.4, në banesën e shtetasit të mësipërm, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: – 1 kallëp tritoli i montuar me kapsollë detonatore elektrik, – 1 granatë difensive, – 1 armë zjarri e llojit Pistoletë “Zastava”, kalibri 7.65 mm, me krehër me 3 fishekë, – një silenciator që përdoret për armë zjarri, – një qese transparente me pluhur të kuqëremtë me lëndë narkotike të dyshuar “Heroinë”.
Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas është autor i ngjarjes së ndodhur më datë 10.09.2017, ku në rrugën “Muhamet Deliu”, është qëlluar me armë automjeti i shtetasit P. P.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga nenet 283 dhe 278 të Kodit Penal
(e.f/BalkanWeb)