Në vijim të promovimit të pasurive natyrore të vendit, Kryeministri Edi Rama veçoi të dielën një pamje fantastike nga Laguna e Karavastasë, laguna më e madhe në Shqipëri dhe ndër më të mëdhatë në Adriatik.
“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje fantastike nga Laguna e Karavastasë, ju uroj një të dielë të qetë”, shkruan Kryeministri në rrjetin social “Facebook”, duke postuar një foto nga Laguna e Karavastasë.
Laguna e Karavastasë përbën sipërfaqen më të madhe (4.100 ha) të kompleksit ligatinor të Parkur Kombëtar Divjakë-Karavasta, që shtrihet ndërmjet lumit Shkumbin në veri dhe lumit Seman në jug, 40 km në perëndim të qytetit të Lushnjës nga ana e bregdetit Adriatik.
Karavastaja është një nga tri zonat Ramsar në Shqipëri. Ajo është strehë për një numër të madh të shpendëve dimëruese dhe po ashtu është një vend i rëndësishëm për shumë specie me interes të madh të ruajtjes, si Pelikani dalmat (Pelecanus crispus).
(m.k/BalkanWeb)