*Pacienti: Isha i dehur s’mbaj mend asgjël
KORCË- Pamje horror vijonë nga qyteti i Korçës. Bëhet fjalë për një video skandaloze, ku shfaqet një mjek dhe një infermiere, të cilët nxjerrin nga ambulanca një pacient dhe pasi e tërheqin zvarrë, e lënë në cep të rrugës.
Nuk dihet ende pse e kanë kryer këtë veprim bluzat e bardha, por nga pamjet pacienti duket i pafuqishëm për të lëvizur.
Videoja që po qarkullon nëpër media është regjistruar nga një kamera amatore, ndërsa ngjarja ka ndodhur dje pasdite në qytetin e Korçës, në vendin e quajtur “Shëntriadha”.
Bëhet me dije se personat që kanë tërhequr pacientin zvarrë, duke e braktisur në trotuar janë një mjek dhe një infermier në urgjencën e spitalit të Korçës, të cilët pas qarkullimit të videos janë pezulluar nga detyra.
“Me marrjen e njoftimit mbi rastin e ditës së djeshme (29/4/2015) të raportuar sot (30/4/2015) nga disa media për sjelljen e një ekipi mjekësor të shërbimit të urgjencës mjekësore dhe shërbimin e munguar të kujdesit shëndetësor ndaj një qytetari në Korçë, Drejtoria e Spitalit Rajonal Korçë ka marrë menjëherë masën e pezullimit nga detyra për mjekun Çelo Fetollari, dhe infermierin Artur Çima”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkaq, pak orë pas publikimit të videos kanë dalë detaje të reja për ngjarjen. Burime nga spitali bëjnë me dije se personi i tërhequr zvarrë ishte i dehur. Po sipas tyre, ka qenë një telefonatë e nënës së tij që ka njoftuar spitalin për gjendjen e të birit.
Ekipi mjekësor më pas ka shkuar për ta marrë në banesë, por është kthyer mbrapsht. Dyshohet se në ambulancë ka pasur debate mes personave, e më pas pacienti është lënë në trotuar, në murin e shkollës “Demokracia”.
FLET PACIENTI:S’MBAJ MEND ASGJË
Ora 13:26- “Isha i dehur, nuk mbaj mend asgjë”. Kështu ka deklaruar personi i lënë në rrugë nga ekipi mjekësor i spitalit të Urgjencës në Korçë.
Ai është identifikuar si Alban Dede 40-vjeç, i cili njihet si person që lypte në qytet.
(ma.ar/BalkanWeb)