Ilir Paja, i dënuari që sot la qelinë, është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare por edhe atë italiane. ‘BalkanWeb’ sjell një dosje të 44-vjeçarit, që nga akuzat për vrasje, deri tek dy arratisjet e tij spektakolare nga paraburgimi.
Paja vuante një dënim për “plagosje të rëndë me dashje” të policit Blendi Haxhimiali, gjatë operacionit për arrestimin e tij, në mars 2008, në Tiranë. Paja u akuzua dhe për disa vepra penale të kryera në territorin italian, mes të cilave edhe “vrasje me dashje të mbetur në tentativë në bashkëpunim”, “rrëmbim dhe mbajtje peng të personit” dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”.
Precedentët: Nga vrasja tek trafiku i drogës, nga grabitjet në vila tek dhuna seksuale, nga prostitucioni tek rrëmbimet e personave: janë këto krimet, për të cilat Ilir Para, i ashtuquajturi “Ufo” akuzohet.
Ilir Paja ishte person në kërkim ndërkombëtar, sepse ndaj tij është dhënë dënimi për një vrasje të kryer në Gjermani. Ndonëse ai u arrestua në Itali, pas disa muajsh dënim, në qershorit 2006, ai ka mundur të arratiset nga paraburgimi i Perugia-s, duke përdorur çarçafët si litar, deri në arrestimin e tij të dytë, më 4 shtator 2006. Shqiptari ishte burgosur prej 5 muajsh në pritje të ekstradimit nga Gjermania, ku akuzohej për vrasjen e një shqiptari tjetër në Duisburg. Ai u ndalua në Itali dhe ndaj tij u shtua edhe akuza për shfrytëzim prostitucioni. Por ai ka mundur të ikë sërish nga burgu, në 14 gusht të 2007-ën, ndërsa policia ishte duke e transportuar me ambulancë, për shkak se i dënuari ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen.
Kësaj here kishte bërë si i sëmurë psikik dhe kur e kishin transportuar me ambulancë kishte filluar të rënkonte e të tërhiqte vëmendjen e policit kryesor. Kur ky është afruar, Paja i ka dhënë një grusht në fytyrë. Më pas ka hapur derën e autoambulancës dhe është larguar me vrap, ku ka kapërcyer një mur të lartë dhe ka ndjekur linjën e trenit. Edhe pse policët kanë qëlluar në ajër, nuk ka ndaluar. Më pas është futur në një pyll dhe është zhdukur. Pas arratisjes së dytë në Itali, Ilir Paja është kthyer në Tiranë, ku jetonte i fshehur dhe është arrestuar sërish.
Lajmi i publikuar ne mediat italiane ne gusht 2007

Duhet të theksojmë faktin se Paja u akuzua si autori i vrasjes së një shtetasi nga Ekuadori dhe plagosjes së një tjetri, pas një grindjeje që kishte për motiv ngacmimin e një femre ekuadoriane, në kohën që ajo ishte me bashkëshortin e saj. Një tjetër episod i rëndë, sipas akuzës, ishte ai i dhunimit seksual të një 19-vjeçareje rumune.
(ed.me/BalkanWeb)
