Java e 12 e Superligës shqiptare të futbollit riktheu një njollë të zezë të hershme të futbollit shqiptar, dhunën në stadiume. Përfundimi i ndeshjes së futbollit e luajtur të shtunën mes Laçit dhe Kukësit me fitoren e verilindorëve u shoqërua me dhunë nga ana e dy tifozërive. Ndeshja solli tension dhe përplasje jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në shkallët e stadiumit. Tifozët e Kukësit, të cilët kishin udhëtuar për të ndjekur skuadrën e tyre, pas përfundimit të takimit u sulmuan me gurë dhe sende të forta nga tifozët kurbinas.
Tifozët shkatërrojnë stolat dhe hedhin sende të forta
Emisioni sportiv “Fair Play” në News24 publikoi pamjet e rënda të dhunës në stadium dhe momentet kur tifozët kurbinas sulmojnë nga jashtë stadiumit tifozët kuksianë. Në videon ekskluzive të siguruar nga News24 dhe BalkanWeb, shfaqen breshëritë e gurëve që vinin nga jashtë stadiumit. Tifozët kuksianë si kundërpërgjigje thyejnë stolat me to godasin tifozët kurbinas jashtë stadiumit, më pas verilindorët zgjodhën të strukeshin në cepin e murit rrethues së tribunës ku ishin vendosur. Madje një nga ata çahet në kokë. Tifozi i plagosur u fut në dhomat e zhveshjes ku mori ndihmën e parë nga stafi mjekësor i Kukësit.
Tifozi i plagosur dhe i mbuluar në gjak
Për t’u evidentuar është edhe fakti se tifozët kanë përfituar nga pavëmendja e forcave të rendit që nuk kanë reaguar menjëherë.
Kujtojmë që ndeshja u shoqërua edhe me probleme në fushën e lojës, pasi dy herë radhazi futbollistët e Kukësit u goditën nga çakmakë që fluturonin nga tribuna e tifozëve vendas. dy futbollistë të Kukësit, Idrizi dhe Kale, u goditën dy herë nga tifozët vendas, me çakmak dhe sende të tjera të forta. Madje edhe mbrojtësi Albi Alla u godit me gur nga tifozeria laçiane. Fatmirësisht, 24-vjeçari nuk pësoi lëndim serioz, pavarësisht se goditja ishte në kokë.
(I.Ç/BalkanWeb)
