TIRANE- Prokuroria e Përgjithshme pushon hetimin ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish­drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Në përfundim të verifikimit të një kallëzimi të Partisë Demokratike kundër tyre në lidhje me veprimet e ndërmarra prej tyre për çështjen “Doshi”, përfaqësuesit e organit të akuzës kanë vendosur mosfillimin e procedimit penal. Në kallëzim pretendohej se Tahiri dhe Didi kishin konsumuar veprat penale “shpërdorim detyre”, “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Veprimet në shkelje të ligjit pretendohej se ishin konsumuar prej tyre pas takimeve me Durim Bamin, për shkak se nuk kishin kryer asnjë hetim konkret për deklaratat e tij, se ishte porositur për eliminimin e dy deputetëve, shkruan Panorama.

Vendimi për mosfillim hetimi ndaj Tahirit dhe Didit është marrë ditët e fundit, gati dy muaj pasi kallëzimi i PD ndaj ministrit dhe ish¬kryepolicit u depozitua në Prokurorinë e Përgjithshme. Burime pranë organit të akuzës sqaruan se në përfundim të verifikimeve paraprake është konstatuar se në veprimet e kryera nga ana e dy të kallëzuarve nuk janë gjetur elemente të veprës penale. Për këtë shkak, thanë burimet, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është vendosur mosfillim i ndjekjes penale ndaj dy personave të kallëzuar. U bë e ditur se në vendimin e mosfillimit të ndjekjes penale thuhet se Policia e Shtetit ka kryer verifikimet e nevojshme pas takimit të Bamit me ministrin Tahiri dhe ish¬drejtorin Didi dhe nga prej tyre ka rezultuar se thëniet e Bamit kanë qenë të pavërteta.

Sipas Prokurorisë, fakti që historia ishte inskenim, është konfirmuar dhe nga qëndrimi i prokurorëve që po hetojnë çështjen ndaj Tom Doshit, Mark Frrokut e Durim Bamit. Në të njëjtën linjë, duke iu referuar veprimeve të kryera nga të kallëzuarit, hetuesit kanë arsyetuar se Bami në asnjë rast nuk ka pranuar ta kallëzojë rastin.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: