TIRANË- Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka reaguar pas dorëheqjes nga posti i nënkryetarit të Kuvendit të Vangjel Dules. Idrizi ka hedhur një “lumë” akuzash në drejtim të kundërshtarit të tij, kreut të PBDNJ-së, duke e quajtur “Zerv-ist” dhe se akti i tij për dorëheqjen ka nxjerrë në pah urrejtjen gjakësore ndaj shqiptarëve të çamërisë.

“Sapo mësova mbi dorëheqjen që Vangjel Dule paska dhënë, sapo ka mësuar emërimin tim në këtë post. Pa dashje ky Zerv-ist i kohëve moderne ka nxjerrë në pah atë, që i vlon në mendje dhe zemër, urrejtjen gjakësore ndaj shqiptarëve të çamërisë, duke shpresuar që historia ta ndalë turravrapin e vet këtu e 70 vjet më parë dhe viktima të vazhdojë të mbetet viktimë, ndërsa agresori të vazhdojë të mbetet agresor e fitimtar i së keqes”, ka shkruar Idrizi në faqen e tij të facebook.


Sipas kreut të PDIU-së, “Në inkoshiencën e tij, Vangjel Zerva, shpreson që shovinizmi i huaj të ketë më shumë vlerë dhe të përndjekë e të nënshtrojë shqiptarët autoktonë, duke harruar që vendi i Shqipërisë është përkrah popujve të zhvilluar që respektojnë çdo qenie njerëzore si të barabartë në dinjitet, çdo individ pa dallim feje, race, origjine a bindje politike, shkak për të cilin, Dulja ishte në atë karrige edhe sot”.

Idrizi tha se ky individ na kujton dhe njëherë se duhet të punojmë për ti dhënë historisë atë çka meriton.

“Ky individ dashakeq e fobik, ndaj gjithë atyre që nuk i përkasin frymës më shoviniste të nacionalizmit të huaj, veçanërisht i errësuar nga urrejtja ndaj popullsisë çame, na kujton dhe njëherë të gjithëve që duhet të punojmë për ti dhënë historisë atë çka meriton. Çështja çame do zgjidhet në përputhje me të gjitha konventat për respektimin e të drejtave të njeriut, do apo nuk do pinjolli i lig i Napoleon Zervës”, është shprehur kreu i PDIU-së.

Idrizi tha se Dule nuk përfaqëson minoritarët, duke i quajtur ata vëllezër, por idealet e Agimit të Artë, që nuk mund të pranohen në Shqipëri.

“Ajo çka vërtetoi edhe njëherë Vangjel Dule është se ai nuk përfaqëson as vëllezërit tanë minoritarë e as mentalitetin e shëndetshëm të një pjese të shoqërisë greke. Ai përfaqëson idealet e Agimit të Artë, të cilat nuk mund të pranohen kurrë në Shqipëri! Këtë përgjigje do t’ia japi çdo qytetar i këtij vendi, shqiptarët e Çamërise, shqiptarët e çdo treve tjetër, akoma edhe më shumë minoriteti grek në Shqipëri, që nuk ka asnjë lidhje me mentalitetin përjashtues e urryes të këtij individi”, përfundon Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili u zgjodh sot nënkryetar i Parlamentit.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: