Ajo që shumë është përfolur duket se shumë shpejt do të bëhet realitet.
Mbrojtësi holandez i Lazio-s, Stefan De Vrij, në fund të sezonit do të ndërrojë skuadër dhe sipas raportimeve ai ka zgjedhur të përfaqësojë ngjyrat zikaltër të Inter-it.
Sipas raportimeve që vijnë nga fcinterneës.it, media pranë klubit zikaltër, drejtuesit e Interit dhe lojtari kanë rënë dakord për nënshkrimin e një kontrate 5-vjeçare, me një pagë prej 4.5 milionë eurosh në sezon.
Gjithashtu, zikaltrit kanë gjetur akordin edhe për komisionet e menaxherëve të De Vrij, të cilët do të përfitojnë plot 4 milionë euro nga kjo marrëveshje.
Gjithsesi, zyrtarizimi mungon ende, pasi kontrata është dërguar në Kinë, ku ekspertët e grupit Suning, që zotëron klubin zikaltër, do ta shqyrtojnë me vëmendje, para se të japin miratimin final që do t’i hapte rrugë firmosjes nga ana e lojtarit dhe klubit.
(BalkanWeb)