KOSOVE-Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë ka folur sot rreth arrestimit të 6 shtetasve turq në Kosovë me ç’rast ka thënë që ministria që ai drejton nuk ka dhënë leje për këtë gjë raporton “Zëri.info”

“Si ministër i drejtësisë dëshiroj të sqaroj pozitën time për rastin në fjalë, dëshiroj të sqaroj se edhe në rastin personal dhe profesional unë punoj në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Dua të konfirmoj që në asnjë rast nuk kam pretendime që të ngatërroj kompetencat e mija”, tha Tahiri.

Ai madje tha se nuk ka kompetencë që të flet lidhur me zbatimin apo jo të procedurave të paraparë me ligj në këtë aksion, raporton Zeri.info.

“Në raport me temën që është shtruar më lejoni që të sqaroj që nuk kam asnjë përgjegjësi individuale. Në krejt këtë debat nuk kam kompetencë të flas nëse janë zbatuar procedurat e parapara me ligj për shkak se ato i janë adresuar institucioneve tjera të përfshira në këtë rast”, theksoi Tahiri.

Po ashtu ai gjatë fjalës së tij tha se nuk ka dhënë autorizim për një deportim të tillë.

“Nuk ka pasur as autorizim nga ana e ime si ministër i drejtësisë, dhe nuk kemi të bëjmë me ekstradim të tyre”- tha Tahiri.

(d.d/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: