FIER- Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka zhvilluar një takim elektoral në qytetin e Fierit, ku ka prezantuar para simpatizantëve objektivat dhe arsyet e vendosjes në koalicionin e majtë ASHE. Idrizi tha se shumë prej qytetarëve nuk e kanë pasur të lehtë të kuptojnë rrugëtimin e kësaj force, duke theksuar se PDIU nuk mund të jetë “parti zare” dhe se vendimet janë marrë në bazë të kauzave. Kreu i PDIU-së është ndalur edhe tek vendimi i KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor për numëruesin e katërt, duke sulmuar këtë insitucion, madje duke e quajtur kryetaren “Luzja e Portokallisë”. “Shumë prej jush nuk e kanë pasur të lehtë të kuptojnë rrugëtimin tonë. Por po ju them se një parti që ngrihet nga një dhimbje kombëtariste, nuk mund të jetë parti zare. Vendimet tona i kemi marrë në bazë të kauzave tona. Ne jemi sot në Aleancën që na bën krenar për qëndrimin që ka mbajtur për çështjen e ujërave, që ka në program çështjen çame. Ky është vendi i duhur. Ne kurrë nuk mund të bashkohemi me komunistët, por asnjë nuk mund të mendojë që mund ta ketë PDIU-në në xhep ashtu si 25 vjet. Do të mbetemi anti-komunistë por nuk do të jemi kurrë mbushës”, tha Idrizi.
Kreu i PDIU-së tha se rritja e kësaj force politike dhe vokacioni i saj kombëtar kanë bërë që dikujt ti dhembin sytë. “Rritja e PDIU-së, vokacioni i saj kombëtar ka bërë që dikujt ti dhembin sytë. Ne e kemi parë me krenari që ti dhembin dikujt sytë jashtë Shqipërisë. Nëse dikujt i dhembin sytë se për herë të parë në 25 është nënkryetar i parlamentit një deputet nga PDIU, ta dinë se kanë vënë një njeri aty që nuk i ndan shqiptarët nga vijnë, por një shqiptar me baba çam dhe nënë tiranase dhe me vokacionin kombëtar të shqiptarëve. Duhet tu them disa analistëve: Ka ikur ajo kohë, sepse djemtë e Çamërisë, kanë ditur dhe do ti dalin për zot çështjes çame dhe Shqipërisë. Nuk e di se çfarë qumështi i ka dhënë nëna atij analistit që thotë se Greqia nuk i ka marrë toka Çamërisë, por perandoria osmane. PDIU partia e çdo çami, kosovari, tropojani, lushnjari”, u shpreh Idrizi.
Më pas ai ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe vendimin për ti dhënë numëruesin e katërt PR-së në vend të PDIU-së.
“Më duhet të komentoj zhvillimet e fundit. PDIU është sot në Fier me 5 mandate deputetësh. Në bazë të kësaj duhet të kishte numërues në këto zgjedhje. Ju keni parë një vendim në Kolegjin zgjedhor, 6 votime me gjithë Luzen e Portokallisë, nuk e kuptuan dot ku ishte PDIU”, tha ai duke akuzuar Kolegjin Zgjedhor se është nën urdhrin e partive të mëdha.
(m.k/BalkanWeb)
