TIRANË- Halim Kosova është takuar sot me banorë të zonës së Institutit ku ka prezantuar konkretisht programin e tij në këtë njësi. Kandidati i koalicionit të djathtë, Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet ka premtuar zgjidhje për qindra familje që jetojnë në konviktet e Universitetit Bujqësor, të cilat përveç problemeve ekonomike dhe kushteve tejet të vështira përballen edhe me mungesën e dritave dhe ujit prej 4 muajsh. Ndërkohë një nga premtimet kryesore të Kosovës ishte edhe furnizimi me ujë të pijshëm.

“Do të ketë e gjithë Tirana ujë 24 orë. Pas takimit me ju do të shkoj para ekspertëve do të shpjegoj saktësisht këtë premtim. Shumë gjëra që në plan të parë duken të pamundura, janë të mundura. Brenda mandatit tim do e zgjidh këtë problem. Do ndërtohen 100 rrugë. Do të mbillen; sinjalistikë rrugore, 200 tabela dhe 71 vende për parkim. Investimet për 2015-2017 janë 10 objekte me vlerë 2.4 mld që konsistojnë në përmirësimin e higjienës. Ndërtimi i rrjetit inxhinierik, kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha”, tha Kosova duke renditur edhe disa prej rrugëve ku do të ndërhyhet nëse ai do të jetë në krye të Bashkisë së Tiranës.

Kandidati i APPD tha se puna e tij do të bazohet në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. “Nuk jam politikan tipik, jam menaxher që punën time do ta bazoj në zgjidhjen e problemeve tuaja. Zgjidhja e çdo halli, çelësi i punës sime si kryetar bashkie”, tha Kosova.

Më tek kandidati i djathtë u ndal tek situata e familjeve që jetojnë në ambientet e Universitetit Bujqësor.

“Një pjesë e juaja banon tek 8 konvikte të Universitetit Bujqësor. Unë po ndjek rrugën ligjore që zgjidhja të vijë sa më shpejt. Kryetari i bashkisë është kryetari i çdo halli i banorëve të Tiranës. Përveç varfërisë ju po përballeni prej 4 muajsh me mungesën e dritave dhe ujit. Rruga ime është të gjej zgjidhjet më të mira, sepse juve dhe gjithë banorëve nuk ju interesojnë sherret politike. Rruga e parë që stafi im më ka rekomanduar për mënyrën e zgjidhjes së këtij halli, për të dhënë zgjidhjen përfundimtare është kjo: I drejtohem zotit Basha me një letër, që zoti Basha të thërrasë Këshillin Bashkiak që zgjidhjen ta përballojë Bashkia e Tiranës. Kjo është rruga e parë. Sepse lekët janë por që ato të kalojnë duhet një miratim nga Këshilli Bashkiak, por kam edhe zgjidhje të tjera. Nuk merrem fare kush e ka fajin, kjo nuk ju intereson juve, juve iu intereson zgjidhje sa më e shpejtë që ju të shpëtoni nga një torturë çnjerëzore. Kjo varfëri, ky shkatërrim ku jetoni prodhon fatkeqësi, fëmijë të brengosur, rini të plagosur, asnjë nga këto nuk janë në të mirë të vendit. Do të më keni përkrahë deri sa ta zgjidhim”, tha Kosova. Pas këtyre deklaratave, disa prej simpatizantëve kanë hedhur parulla “Poshtë Ilir Meta”, por Kosova është shprehur se është kundër këtyre parullave.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: