TIRANË– Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tha gjatë një interviste për Eni Vasilin në “News 24” se kandidatët e partisë së tij do të jenë fitues më 21 qershor. Ai tha se nuk ka asnjë mosmarrëveshje personale me Vangjel Dulen, por se ai ka probleme me komunitetin që përfaqëson. Pas një lidhje telefonike të deputetes Monika Kryemadhi dhe deputetit të PD-së, Aldo Bumçi në lidhje me ngjarjen në Shënkoll të Lezhës, Tahiri u pyet edhe për klimën e fushatës.

‘’Deri para një jave, dukej sikur po garonim për zgjedhjet parlamentare, por në javët e fundit po shoh me shumë preoukopim pas disa incidenteve. I bëj thirrje të gjithë faktorëve që të marrin masa për këtë ngjarje, nuk mendoj se kjo është një inskenim. Është e pamundur që një grua të qëllohet me armë, kjo është e patolerueshme’- tha Idrizi.

Eni Vasili: Pse kjo marrëdhënie e vështirë me Dulen në disa bashki?
Shpëtim Idrizi: Nga PDIU nuk keni dëgjuar, dhe nuk keni për të dëgjuar për minoritet grek në Shqipëri, pasi ata janë qytetarë shqiptarë. Nuk kam asgjë personale, por Dule nuk përfaqëson minoritetin grek.

Eni Vasili: Rikthehemi pak tek zgjedhjet, si do e mbroni votën, nuk ju dha të drejtë KQZ?
Shpëtim Idrizi: KQZ na ka hequr të drejtën për të pasur anëtarë numërimi, pasi Lefterisë nuk i doli llogaria. Por, ajo që më shqetëson më shumë është qëndrimi i Kolegjit, pasi ka kaluar 12 ditë dhe ende asnjë vendim. Ne presim arsyetimin e Kolegjit, të cilët mund ta japin pas zgjedhjeve.

Eni Vasili: Do përfshiheni në koalicionin qeverisës në zgjedhjet parlamentare?
Shpëtim Idrizi: Do vijojmë bashkëpunimin me qeverinë. Rezultatet që do marrim do na përfaqësojnë në të gjitha nivelet.

Eni Vasili: Çfarë synoni të arrini me këtë bashkëqeverisje?
Shpëtim Idrizi: Ne nuk jemi as parti e majte as e djathte, ne i qëndrojmë programit tonë për zgjidhjen e çështjes çame. Nën presionin tonë kemi tentuar të kalojmë një rezolutë në parlamentin shqiptar, ndërsa shpresojmë të vendosim në praktikë rezolutën e miratuar.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: