Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se bashkimi me Preshevën nuk ka lidhje me ndarjen apo shkëmbimin e territoreve.

Ai në një intervistë për Top Channel tha se nuk ka komunikuar me autoritetet e Tiranës, por beson se Shqipëria nuk do të jetë kundër vullnetit të qytetarëve të Preshevës.

“Ende nuk kam biseduar në mënyrë zyrtare me autoritetet shqiptare. Por nuk dua të besoj se Shqipëria do të jetë në pozicionin kundër vullnetit të qytetarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Mbes me shpresë se Shqipëria do të pozicionohet në favor të drejtave të tyre”, u shpreh Thaçi.

Për më tepër, kreu i shtetit tha se as kryeministri Ramush Haradinaj, e as kryeparlamentari Kadri Veseli nuk janë kundër të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përkundrazi janë mbështetës të fortë të aspiratës së tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb