TIRANË- Ndërkombëtarët dalin kundër një tjetër gjykatësi që ka kaluar vettingun. Sipas njoftimit zyrtar, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Artur Malaj.
Më 3 gusht Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Artur Malaj, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë, dhe kandidat për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.
Në seancën dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit doli kundër DSIK për Malaj. DSIK e konsideronte të papërshtatshëm Malaj për të vijuar ushtrimin e detyrës pasi ishin zbuluar lidhje të tij me elemente kriminalë.
Por një javë pas vendimit, ONM kërkon të rishikohet vendimi i KPK. Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Ky është rekomandimi i pestë nga ONM për të ankimuar vendimin që iu ka dhënë “OK” 5 subjekteve të rivlerësimit duke kaluar vettingun.
SUBJEKTET PËR TË CILËT ONM KA REKOMANDUAR ANKIMIMIN E VENDIMIT TË KPK
Bashkim Dedja, gjyqtar
Xhezair Zaganjori, gjyqtar,
Gentjan Medja, gjyqtar,
Gentian Osmani, prokuror
Artur Malaj, gjyqtar
Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë.
Ky vendim ende nuk është njoftuar. Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
(m.k/BalkanWeb)