“Bashkimi Europian pret që Serbia dhe Kosova të vazhdojnë dialogun me të njëjtin angazhim si më parë”. Kështu deklaroi zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç.
Kocijançiç vuri në dukje se BE ka theksuar shumë qartë parimet e negociatave. “BE po punon për një marrëveshje të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, e cila do të ishte realiste dhe e pranueshme për të dy palët. Qëllimi është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme që do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura”, tha Kocijançiç.
Teksa u ndal tek fjalimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Kosovë, Kocijançiç nënvizoi se “nuk duhet lënë asnjë hapësirë për dykuptimësi apo lëvdata ndaj politikës dhe veprimeve të (ish-Presidentit të Serbisë dhe Jugosllavisë) Milosheviç”.
(BalkanWeb)