Federata e Futbollit të Kosovës, përmes një njoftimi ka deklaruar se në garat europiane do të jenë dy ekipe që do të përfaqësojnë vendin.
Sipas asaj që shkruhet në njoftimin e FFK-së, bëhet me dije se skuadra fituese në kampionat do të luajë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, ndërsa ekipi që fiton Kupën e Kosovës, do të jetë prezent në eliminatoret e Ligës së Europës.
Ky lajm ka ardhur menjëherë pas njoftimit që iu ka përcjellë qeveria e futbollit europian autoriteteve në Kosovë.
“Cikli i prezantimit të klubeve në garat e UEFA-s ndryshon çdo tri vite, prandaj përkundër rezultateve pozitive të klubeve të Kosovës në kampanjën e fundit të ndeshjeve në garat e UEFA-s dhe kërkesës së FFK-së për shtimin e të paktën një klubi në garat ndërkombëtare, ai ndryshim nuk ka reflektuar menjëherë, por efektet mund të ndodhin në vitet në vijim. Të shpresojmë se një gjë e tillë do të ndodhë por kjo varet shumë nga paraqitja e skuadrave të Kosovës në këto dy gara prestigjioze.”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Kjo është një shenjë treguese se qeveria e futbollit europian shpeshherë ka treguar standarde të dyfishta, sidomos ndaj vendeve të vogla, në këtë rast për futbollin kosovar.
(n.m/BalkanWeb)