Nga: OLA MITRE*TIRANE-Pranimi i nxënësve në shkollat e mesme profesionale publike do të bëhet pa konkurs, por me mesatare të veçanta për çdo drejtim, të cilat do të përcaktohen nga vetë shkollat”. Gjithçka përcaktohet në udhëzimin e përbashkët të ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e asaj të Arsimit dhe sportit, i cili saktëson gjithashtu edhe dokumentet që duhen dorëzuar si dhe kriteret e tjera për t’u pranuar në këto shkolla. Më konkretisht, në vendimin e publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare thuhet se “përpara fillimit të regjistrimeve të reja, drejtuesit e shkollave profesionale, pasi konsultohen me bordet e tyre, planifikojnë për çdo drejtim mësimor: Numrin e nxënësve dhe mesatare të veçanta për çdo drejtim”.

KRITERET E PRANIMIT
Sipas udhëzimit, në shkollat profesionale do të pranohen të gjithë ata nxënës që kanë përfunduar arsimin bazë dhe kanë marrë dëftesën e lirimit. Megjithatë, sipas kritereve të reja, ka një limit moshe për pranimet në këto shkolla. Më konkretisht, në klasën e dhjetë të shkollës profesionale publike do pranohen nxënës të moshës jo më të madhe se tetëmbëdhjetë vjeç. Deri në moshën njëzet e një vjeç, nxënësi lejohet të ndjekë arsimin e mesëm profesional katërvjeçar, ndërsa nxënësi që ka mbushur moshën njëzet e dy vjeç, lejohet të vazhdojë vitin e katërt deri në fund të atij viti shkollor. Po ashtu, sipas udhëzimit të dy ministrive, saktësohet se shkolla publike profesionale, sipas kuotës së saj të pranimeve, ka të drejtë të pranojë nxënës edhe nga ato zona të tjera të vendit, kur në atë zonë nuk ka shkollë publike profesionale me një drejtim mësimor të caktuar.

Kjo do të thotë se, ndryshe nga pranimet në gjimnazet e përgjithshme, të cilat i pranojnë nxënësit sipas zonave të banimit, për shkollat e mesme profesionale përjashtohet ky kriter, për rastet kur zona në fjalë nuk e ka një shkollë të tillë. Ndërkaq, kur në shkollat publike profesionale ka kërkesa më të mëdha se numri i nxënësve të planifikuar, nxënësit do të përzgjidhen sipas mesatares më të lartë të notave të provimeve të lirimit. Kur me të njëjtën mesatare përfshihen më shumë nxënës nga sa mund të pranohen, drejtuesi i institucionit, pas këshillimit me bordin, shpall kritere objektive e të matshme shtesë. Sipas udhëzimit, këto kritere shtesë mund të jenë: Mesatarja më e lartë e notës në njërën nga lëndët në provimet e lirimit si dhe nota më e lartë e nxënësve në testimin e tyre, me teste të hartuara, të administruara dhe të vlerësuara nga komisione të ngritura me urdhër të drejtuesit të shkollës.

DOKUMENTET
Për të aplikuar në shkollat profesionale, kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë një kërkesë për regjistrim, ku përcaktohet drejtimi mësimor që nxënësi do të ndjekë. Po ashtu, nevojitet kopja e noterizuar, e njehsuar me origjinalin e dëftesës së lirimit, si dhe një kopje e kartës së identitetit të nxënësit. Ndërkaq, procedurën e plotë të regjistrimit në shkollat publike profesionale i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Arsimi profesional është një nga prioritetet e qeverisë, ndërkohë që të dhënat e vitit të kaluar folën për një rritje me 40 për qind të pranimeve të reja.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb