VLORË
Dy persona janë arrestuar në Vlorë pasi janë kapur në flagrancë nga autoritetet policore për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe për posedim lëndësh narkotike.
Konkretisht, gjatë kontrolleve në aksin rrugor Novoselë-Vlorë është prangosur Shpëtim Malaj, 25 vjeç nga Vlora pasi mbante një sasi droge të llojit marijuanë, teksa po lëvizte si pasagjer në një makinë “Ford Fokus”.
Ndërkohë i arrestuari tjetër është kapur në flagrancë duke drejtuar një makinë tip “Audi” në një nga lagjet e Vlorës në gjendje të dehur. Në pranga për këtë rast ka rënë Kiço Zaka, 36 vjeç, banues në Vlorë.
Njoftimi i policisë:
“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve ka arrestuar në flagrancë shtetasin, Shpëtim Malaj, 25 vjeç, banues në Vlorë.Arrestimi i tij u bë pasi gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, në aksin rrugorë Vlorë-Novoselë, ky shtetas ka qenë duke udhëtuar si pasagjer në automjetin tip “Ford Fokus” dhe pas kontrollit fizik të tij, iu gjet e fshehur në trup në sasi lënde narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” neni 283/1 i Kodit Penal.
Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin, Kiço Zaka, 36 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i tij u bë në aksin rrugorë të lagjes “Lef Sallata” Vlorë pasi ky shtetas u kap duke drejtuar automjetin tip “Audi” në gjendje të dehur. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” neni 291 i Kodit Penal”, njofton Policia.
(n.m/BalkanWeb)