SHKODER

Për herë të parë shfaqet kjo vulë e cila daton në vitin 1912 e moçme sa vetë pavarësia e Shqipërisë. Ajo mban një mbishkrim “Zyra e Portit Obot”, e cila ndodhej në hyrje të këtij fshati sot njësia administrative Ana e Malit në Shkodër.

Një vulë kjo pa të cilën nuk mund të hynte e as nuk mund të dilte asnjë anije në portin e Obotit. Transporti i mallrave detar në kohën kur Shqipëria u shpall e pavarur bëhej përmes lumit Buna , ndalej në Obot për të bërë regjistrimin e këtyre mallrave e më pas bëhej transporti i tyre me 11 portet e detit Adriatik me qendër në Trieste të Italisë. Në fakt kjo vulë është ruajtur me fanatizëm brez pas brezi ndërsa sot ajo ndodhet në të ashtuquajturin muzeu etno-kulturor të Njësisë Ana e Malit. Kryetari i Shoqatës Patriotike-Kulturore Ruzhdi Pode flet për rëndësinë e vulës 106 vjeçare të sapo zbuluar.

Në mjediset e muzeut ndodhen rreth 700 objekte historike, mes tyre është kjo qerre 93 vjeçare e pazarit të vjetër të Shkodrës që është përdorur nga tregtarët që në kohën e dinastisë Marubi. Ndërkohë objekt i hershëm që daton 1700 vite më përpara është edhe ky këtu që quhet Lugu i Pagëzimit i kishës Shndreaj të Obotit ku me anë të tij pagëzoheshin me ujë të bekuar besimtarët e zonës. Mirëpo fakti është se kjo zonë nuk ka një muze të posaçëm për koleksionimin dhe promovimin e objekteve të cilat qëndrojnë prej 10 vitesh në 2 klasa të shkollës së mesme të Oblikës.

Ngritja e një muzeu në Anën e Malit do të ishte e domosdoshme për faktin se zona në fjalë është nyja më e rëndësishme ku lidhet Shqipëria me vendet e Europës Perëndimore për shkak se fare afër është pika kufitare e Muriqanit që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe çdo turist do të ndalonte për të vizituar këto objekte.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: