Nga: IV KALOÇI*

Për herë të parë bëhen publike kabllogramet dhe korrespodenca zyrtare e krerëve më të lartë të regjimit komunist, si Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Hekuran Isai etj., të cilët japin një “tablo sinoptike” për atë që po ndodhte në Shqipëri para dhe pas prishjes së marrëdhënieve politike, ekonomike dhe ushtarake me Republikën Popullore të Kinës. Gjë e cila u bë publike zyrtarisht në 28 korrikun e vitit 1978, kur udhëheqja komuniste shqiptare, botoi në “Zëri i Popullit” dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Letrën e hapur të KQ të PPSH-së, e cila e shpallte udhëheqjen kineze si revizioniste dhe tradhtare të marksizëm-leninizmit.

Kadri Hazbiu: Elementi armik tani po
riorganizohet

Në disa numra radhazi, në faqet e “Gazeta Shqiptare”, po botojmë të plota dhe me faksimilet përkatëse, një pjesë të dosjeve ku ndodhen dokumentet zyrtare të korrespondencave dhe kabllogrameve tepër sekrete të KQ të PPSH-së, Ministrisë se Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme, si dhe Komiteteve të Partive në rrethe dhe Degëve të Punëve të Brendshme, në të cilat pasqyrohet qartë qëndrimi zyrtar i shtetit shqiptar në përgjithësi dhe shoqërisë shqiptare në veçanti, ndaj Partisë Komuniste të Kinës dhe qeverisë kineze, lidhur me ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe ushtarake prej saj në 28 korrikun e vitit 1978. Ish-aleati më i afërt i Tiranës zyrtare që nga fillimi i viteve ’60, Kina komuniste, befas do të shndërrohej në armikun më të madh ideologjik të saj, pas SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik. Nëpër rreshtat e këtyre kabllogrameve dhe korrespondencave që mbajnë siglën “Tepër sekret”, vërehet qartë frika e madhe dhe paranoja e thellë që ka mbërthyer regjimin komunist dhe shefat më të lartë të kupolës së saj, që nga Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu etj., e deri poshtë në bazën e atij pushteti me zyrtarët e pushtetit lokal, të cilët e transmetonin atë ankth e pasiguri te njerëzit e thjeshtë, nxënësit e shkollave, punëtorët, e deri te fshatarësia kooperativiste. Këto dokumente që shohin për herë të parë dritën e botimit, janë një pasqyrë e qartë e gjendjes dhe e situatës së nderë në të cilën ndodhej asokohe regjimi komunist dhe Tirana zyrtare, sidomos pas “Letrës së hapur”, drejtuar udhëheqjes kineze, që akuzonte atë për tradhti të lartë ndaj kursit dhe vijës së marksizëm-leninizmit. Në këtë kontekst kohor duket qartë e gjithë tabloja sinoptike, ku udhëheqja e lartë e regjimit komunist, e ngritur e gjitha në një alarm, ka mobilizuar të gjithë makinerinë shtetërore dhe strukturat e saj me në krye Sigurimin e Shtetit, për ta mbajtur situatën nën kontroll të plotë. Dhe kryesisht duke survejuar kundërshtarët politikë të saj, të cilët i konsideronte si “armiq të klasës”, gjë e cila zë një vend kryesor në këto kabllograme, ku organet e Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet ministrit të Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu dhe zëvendësve të tij, Feçor Shehu, Rexhep Kolli etj., informojnë me detaje udhëheqjen e lartë, kryesisht Hysni Kapon (në atë kohë ishte sekretar i KQ të PPSH-së dhe mbulonte organet e diktaturës së proletariatit) për gjithçka që fliste “armiku i klasës” në çdo rreth të vendit. Kjo gjë dhe të tjera, duken më së miri në këto kabllograme dhe korrespondenca, ku ish-“vëllezërit kinezë”, që asokohe punonin në Shqipëri si kuadro dhe specialistë në vepra të ndryshme industriale nga jugu në veri të vendit (Kombinati Metalurgjik në Elbasan, Uzina e Ferrokromit në Burrel, fabrika e Letrës në Lezhë etj.), apo baza ushtarake (Pashalimani, Uzina e Tankeve në Shish-Tufinë etj.) tashmë janë kthyer në “agjentë, sabotatorë e komplotistë” dhe survejohen kudo dhe në çdo hap të tyre. Pajisjet, armatimet dhe gjithë teknologjia ushtarake, duke filluar nga tanket, avionët, nëndetëset, silurët, artileria e rëndë etj., me të cilat Kina prej vitesh kishte furnizuar falas Shqipërinë, tashmë rezultonin me defekte të rënda dhe të sabotuara nga “revizionistët kinezë”. Një gjë e tillë, pra ajo “tablo sinoptike” që po kalonte regjimi komunist para dhe pas prishjes me Kinën, identik, është parë shpeshherë ndër vite kur Shqipëria komuniste vendoste të shkëpuste marrëdhëniet me shtetet që deri në momentin e fundit do të ishin “aleatet” më të ngushta të saj, si anglo-amerikanët, Jugosllavia e Titos dhe Bashkimi Sovjetik i Stalinit dhe atyre që e pasuan atë. Seria e miqve-armiq, nisi me misionet anglo-amerikane, të cilat, derisa u dëbuan nga vendi në nëntor të vitit 1946, ishin çlirimtarë dhe kontribuues të vërtetë të LANÇ-it, ndërsa më pas u kthyen në një nga subjektet më të urryera dhe më të padëshiruara për komunistët shqiptarë. E njëjta gjë do të ndodhte me jugosllavët, të cilët, kur u dëbuan nga Shqipëria në vitin 1948, u konsideruan agjentë të UDB-së së Titos. Për të vijuar më pas me sovjetikët, “aleatin më të dashur” për komunistët shqiptarë, të cilët pas vitit 1961, u konsideruan nga Tirana zyrtare si revizionistët më të rrezikshëm që kishte njohur bota deri në atë kohë. Dhe kjo gjë do të përsëritej mot a mot me kinezët dhe do bëhej publike zyrtarisht atë fund korriku të nxehtë të vitit 1978.

(Vijon nga numri i kaluar)

Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, u njohëm me informacionin zyrtar të ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, i cili njoftonte sekretarin e Komitetit Qendror të PPSH-së, Hekuran Isai, lidhur me gjendjen që mbizotëronte asokohe në Shqipëri, pas prishjes së marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës. Ministri Hazbiu, në bazë të informatave që ai kishte prej objektit “Shtëpia me gjethe” dhe rrjetit të tij agjenturor, i raportonte eprorit të tij me detaje se çfarë bisedash bënin ajo shtresë e shoqërisë shqiptare, të cilët regjimi komunist i etiketonte si reaksionarë dhe armiq të klasës. Ndërsa në numrin e sotëm po njihemi me vazhdimin e letrës së Kadri Hazbiut dhe një informacion tjetër të dhënë nga Mehmet Çaka, Drejtori i Drejtorisë III në Ministrinë e Brendshme (Drejtoria e Zbulimit me jashtë), i cili informon eprorët e tij lidhur me situatën në Jugosllavi dhe marrëdhëniet në mes Kinës e Jugosllavisë.
Informacioni i
Sigurimit për
Hekuran Isain
Një numër i konsiderueshëm komentesh vazhdon të bëhet edhe nga disa punëtorë, fshatarë dhe intelektualë. Këta elementë, megjithëse nga shtresat tona dhe me prejardhje joarmiqësore, duke qenë të paformuar dhe me nivel të ulët ideologjik, i kanë trembur situatat e krijuara pas prishjes së marrëdhënieve me kinezët dhe për pasojë, në mjaft raste ata shprehin mosbesim dhe pasiguri lidhur me perspektivat e mëtejshme të zhvillimit të vendit tonë, si në fushën ekonomike ashtu dhe në atë të mbrojtjes së vendit. Duke gjykuar si frikacakë, ata japin edhe mendime oportuniste e predikojnë që partia të bëjë lëshime në politikën e saj të jashtme dhe të zbutet qëndrimi ndaj imperializmit dhe revizionizmit. Kështu, një element i tillë nga radhët e inteligjencës në Tiranë shprehet se: “Ç’qe kjo për ne, oh ç’na gjeti në të zezëve, çfarë do bëjmë ne tani pa Kinën?” Ndërsa një fshatar i moshuar nga rrethi i Tepelenës thotë: “Nuk i dihet se si do vejë halli ynë tashti, se këta u prishën me të gjithë dhe tani është koha të na sulmojnë”. Të tjerë elementë të kësaj kategorie vazhdojnë: “Nuk duhet të jemi mendjemëdhenj, se nuk do ta mbajmë të pastër vetëm ne flamurin e marksizëm-leninizmit, prandaj për hir të kapërcimit të vështirësive të mëdha ekonomike që po kalojmë, duhet edhe ne të bëjmë lëshime.”
Në këto ambiente, disa elementë të tjerë mjaft aktivë, që përpiqen që të shtojnë sa më shumë radhët e tyre, tradhtinë kineze e përdorin si një “argument” bindës se gjoja është komunizmi në rënie dhe jo imperializmi. Në këtë drejtim, një kosovar me banim në rrethin e Krujës, komenton: “Këta tanët thonë për imperializmin që është në dekadencë, por në fakt ndodh e kundërta. Disa kohë më parë, p.sh., socializmit iu shkëputën 350 milionë njerëz, dhe tani pas kthesës së Kinës edhe 900 milionë të tjerë, pra del se komunizmi po merr fund dhe po vërtetohet fjala e Titos, që ka thënë se ky sistem është mplakur e duhet zhdukur”. Duke analizuar në tërësi propagandën armiqësore intensive dhe të gjithanshme që po zhvillohet pas botimit të Letrës së KQ të Partisë dhe Qeverisë së RPS të Shqipërisë lidhur me tradhtinë kineze, si konkluzion ne mund të themi se:
1. Nga tërësia e elementit të aktivizuar, tonin kësaj propaganda armiqësore vazhdojnë t’ia japin disa kategori kryesore të armiqve të klasës dhe sidomos të elementit antiparti, të deklasuarit, inteligjenca me prejardhje dhe me qëndrim armiqësor si dhe kontingjentët e zbulimeve, revizionistëve në përgjithësi ato të zbulimit jugosllav në veçanti. Në këto ambiente kryesisht, organet e Sigurimit të Shtetit kanë evidentuar edhe mjaft komente, tendenca dhe dëshira terrori, arratisje e mungesë organizimi, në drejtim të së cilës po punohet me kujdes për t’i evidentuar dhe goditur sa më shpejt.
2. Fakti që persona të veçantë nga radhët tona me prejardhje dhe qëndrim joarmiqësor, hasin mjaft komente të së njëjtës natyrë me ato që bën edhe elementi antiparti, veç të tjerash flet edhe për efektet negative të veprimtarisë armiqësore që zhvillojnë këta të fundit, të cilët përpiqen të bëjnë përpunim ideologjik të elementit të lëkundur e të paformuar, me pikësynimin për të krijuar tek ata bindje armiqësore në drejtim të Partisë, udhëheqjes dhe vijës së drejtë marksiste-leniniste të saj. Këtu kemi mendimin se e kanë burimin edhe mjaft komente të mprehta që qarkullojnë në persona të veçantë nga shtresat tona, të cilët shprehen se: “Udhëheqja e Partisë është dogmatike dhe i gjykon situatat me mendjemadhësi e nervozizëm. Ajo as që do t’ia dijë për vështirësitë ekonomike që rëndojnë mbi popullin, se gjëra të tilla nuk i ka provuar kurrë asnjëherë vetë”.
3. Megjithatë, vlerësimi i përgjithshëm është pozitiv dhe në këtë drejtim ka pasur komente si asnjeherë tjetër, fakti se veprimtaria armiqësore në tërësi po intensifikohet dhe ka mjaft paqartësi, dhe kërkon medoemos që organet e Sigurimit të Shtetit të rrisnin në shkallën më të lartë vigjilencën dhe mobilizimin, për të zbuluar dhe goditur në kohë këtë element dhe armikun e klasës, e për të bërë në të njëjtën kohë më kujdes e drejt, diferencimin e elementit të gabuar.
—————————————————
MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME
(Kadri Hazbiu)

Shokut Ramiz
Mendoj të njiheni me informacionin që bën fjalë, ndër të tjera edhe për interesimin e kinezëve dhe përgjigjet e dhëna nga Dollanci për marrëdhëniet me vendin tonë, gjatë vizitës së Titos në Kinë. Ky informacion iu dërgua shokut Mehmet dhe shokut Hysni.
Me respekt,
Feçor Shehu

Drejtori i Zbulimit: Kina luan një politikë me dy porta, preferon Jugosllavinë
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE, SEKRET
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME, Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA III, Nr. 572 Tiranë, më 14.4.1978

INFORMACION
Nga burimet tona informohemi se:
1. Në aktivin politik të Prishtinës, duke folur për vizitën e Titos në Kinë, Stane Dollanci theksoi se Hua Kuo Feni pyeti Titon se si i keni marrëdhëniet me partinë më të vjetër në Ballkan (PPSH). Tito i tha se për këtë do t’ju informojë Dollanci. Në përgjigjen e tij Dollanci u tha se Stalini u kishte lënë dorë të lirë jugosllavëve që të aneksonin Shqipërinë, por udhëheqja jugosllave nuk pranoi një gjë të tillë. Nga ana e saj Jugosllavia i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë shumë të madhe në të gjitha fushat. Shkaktar për acarimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve është Stalini. Aktualisht, udhëheqja jugosllave është për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Shqipërinë në të gjitha fushat.
2. Në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Beogradit po zhvillohet një cikël leksionesh mbi politikën e jashtme kineze, sidomos për qëndrimin kinez ndaj Tajvanit, marrëdhëniet kino-amerikane, kino-sovjetike, kino-jugosllave, si dhe marrëdhëniet e saj me organizatat ndërkombëtare, program që do të vazhdojë dy muaj.
Në leksionin që mbajti para disa javësh një përfaqësues i “TANJUGUT” në Pekin, ndër të tjera theksoi këto momente të politikës kineze:
– Hapja e Kinës në marrëdhëniet me të gjitha shtetet e tjera e sidomos me SHBA.
– Tendencat kineze për përmirësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, pavarësisht se propagandojnë rrezikun sovjetik.
– Përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve me Jugosllavinë në të gjitha fushat e drejtimet.
– Kontradiktat politike dhe ideologjike me PPSH dhe me Republikën Popullore të Shqipërisë për problemet e politikës së jashtme. Referuesi theksoi se deri më tani asnjëra palë nuk ka dalë hapur me kritika direkte.
3. Kuadrot drejtuese kosovare janë të pakënaqur me varrimin e eshtrave të Hasan Prishtinës në Kukës. Mahmut Bakalli, në një bisedë të ngushtë, lidhur me këtë është shprehur se Hasan Prishtina është kosovar dhe duhej të varrosej në Kosovë. Meqenëse udhëheqësve shqiptarë u shkoi ndër mend për tërheqjen e eshtrave të tij nga Greqia, të na kishin informuar edhe ne dhe së bashku të vendosnim se ku do t’i varrosnim. Në rast se do të pyeteshim, ne mund të binim dakord që eshtrat të varroseshin në Vlorë, ose në Tiranë, si figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare, por nuk është mirë që ato të varroseshin në Kukës.
Problemet i kemi në ndjekje.
DREJTORI i DREJTORISE III
(MEHMET ÇAKA)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb