Skuadra e Trabzonsporit duket se është “dashuruar” me lojtarët shqiptarë. Pas shkëlqimit të Ernest Muçit, kampionët e Kupës së Turqisë, kërkojnë të transferojnë edhe Myrto Uzunin. Këto janë raportimet e fundit që vijnë nga Turqia.
Në janarin e këtij viti palët kanë qenë në negociata të avancuara, teksa vetë Uzuni tregoi më vonë se marrëveshja ishte e mbyllur, por ‘u prish për dhjetë minuta’.
“Kisha një ofertë shumë të mirë nga Trabzonspori dhe mund të bashkohesha me Ernest Muçin aty. Ishte i mbyllur si transferim, por gjithçka u prish për dhjetë minuta. Trajneri donte shumë të më merrte në ekip, të gjithë ishin dakord dhe oferta ishte e lartë. Ishte njësoj sa ekipi i Austin më bleu te Granada (12 mln euro)”, deklaronte Uzuni në një prononcim për “FSHF”.
Duket se ekipi turk vijon të ndjekë me interes sulmuesin e kombëtares shqiptare që aktivizohet me Austin në SHBA, bën me dije ‘HaberGo’. Kontrata e tij deri në fundin e vitit 2027 bën që edhe Austin të jetë e vëmendshme ndaj ofertave që mund të vijnë.
Paraqitjet pozitive të Uzunit në këtë edicion kanë bërë që Trabzonspori të rikthehet në skenë, duke e parë atë si profil të përshtatshëm për të përforcuar repartin sulmues për sezonin e ardhshëm.
Transferimi të skuadra e Muçit, do të ishte një hap pozitiv për Uzunin, duke marrë parasysh faktin se Trabzonspori do të luajë në arenën europiane në edicionin e ri.
