Nga: KIÇO BLUSHI*
Nëse do të zbulosh nivelin kulturor e jetësor të një shoqërie, mjafton të bësh një vizitë në varreza për të kuptuar si dhe sa respektojnë të gjallët veten, tjetrin dhe të afërmit e vdekur. Nëse do të kuptosh si jetojnë të gjallët, si ushqehen banorët e një qyteti/shteti me art e kulturë, me dije e vetëdije, mjafton të shohësh një film a një shfaqje teatrore. Në të dyja rastet, nuk do të jetë hiçaspak e nevojshme të dish gjuhën, të paguash një ciceron, të hapësh një hartë a guidë turistike, por mjafton vizita në varrezat e Sharrës a Tufinës, apo n’daç edhe të Dëshmorëve të Kombit; mjafton dhe një biletë për cilëndo shfaqje të Teatrit tonë Kombëtar, le më pastaj për ndonjë film “Made in Albania”, për të kuptuar sa të evropianizuar jemi. Dhe sa përparime kemi bërë ndërkohë, pas hapjes, pas liberalizimit, në artkulturëdashje.
Të gjithë artdashësit e artbërësit, edhe më optimistët, besoj, nuk e mohojnë që te ne veçanërisht arti skenik po përjeton dramën e vet më të rëndë. Në Tiranë kemi tre teatro që financohen nga shteti. Në të gjitha qytetet e mëdha, njëlloj si në monizëm, ka trupa dhe salla të bajagishme, të trashëguara nga diktatura, që administrohen nga bashkitë; por të gjithë ankohen se prej vitesh nuk ka shfaqje kombëtare që mund të mbulojnë më së paku shpenzimet e dekorit. Estradat, shtëpitë dhe vatrat e kulturës, si shenja të monizmit, u zhdukën bashkë me bunkerët që u bënë skrap. Rinia ndjek më shumë bingot, lotot, kafenetë, stadiumet, pabet, videot… dhe shkumëpartet e Drimadhës. Belfiekultura e nakatosur me gallatë fejsbuku të kënaq, edhe po të mos dish shkrim e këndim. Kush e ka fajin për këtë djerrani kulturore në rritje? Publiku është i mangët, shpërfillës, ndonëse një biletë teatri shitet diçka më shumë se një qese me kokoshka e kushton njëqind herë më shtrenjtë nga sa shitet po të llogaritësh pagat, faturat e energjisë dhe ujit, mirëmbajtjen, rojet, ngrohjen dhe pagesën për “projektet”. Disa thonë se kjo gjendje mediokriteti, limontie e zbrazëtie vjen edhe për shkak se nuk kemi dramaturgji për të qenë. Sipas traditës, gogolin e kërkojmë jashtë shtëpisë.
Sot sallat e kinemave mund të numërohen me gisht, ashtu si filmat shqiptarë. Por ama kemi festivale filmi ndërkombëtar gati në çdo qytet. Nga Universiteti i Arteve vazhdojnë të dalin me shumicë aktorë dhe regjisorë, pavarësisht se teatri dhe filmi shqiptar, si institucione, gjenden në ditët e veta më të vështira. Filmi vizatimor, ndonëse kushton më pak, ka cofur. Flitet se kemi aktorë të shquar, regjisorët janë njëri më i madh se tjetri (sidomos pas vdekjes!), por faji është se ne nuk paskemi dramaturgji për së mbari, si kanë turqit për telenovelat e tyre. Të jetë kjo arsyeja madhore përse skena jonë është kaq e vobektë?
E po qe se këtë e marrim si të mirëqenë: përse nuk kemi dramaturgji për të qenë? A mund të ketë aktorë dhe regjisorë të shquar e të mëdhenj, të rangut evropian, pa dramaturgji kombëtare? Në fund të fundit, përse janë shpikur teatri dhe filmi? Që qytetarët të dialogojnë me aktualitetin, me historinë dhe të ardhmen e vet në mënyrë artistike. Po a ka dialog të tillë mes skenës dhe jetës te ne? Vështirë të thuhet “po”.
Këto pyetje kaq të thjeshta nuk i dëgjon të shtrohen kurrkund. Nuk përbëjnë shqetësim as për ata që drejtojnë dhe livrojnë fondet e kulturës. Se për rrethe artistike, klube, shkolla apo revista të specializuara as që bëhet fjalë. Në vend që të stimulohet dramaturgjia kombëtare, dikasteret e kulturës, bordet, drejtorët, regjisorët, kush vendos për ecurinë e mbarështrimin e artit skenik, po vërsulen me një snobizëm të paparë drejt dramaturgëve botërorë: Shekspirit, Brehtit, Molierit, Pirandelos etj., etj., për të promovuar aftësitë e tyre “gjeniale”, me gjasë se do të habisin botën. Njëlloj si me përkthimet, këngët, filmat dhe spektaklet e të huajve, snobizmi mbetet aktori dhe autori i vetëm dhe kryesor i skenës sonë. Helbete, tani Tirana është metropol! Tani edhe Erseka, edhe Kavaja, edhe Kamza kanë pedonale! Paçka se jeta kulturore dhe artistike është për të vënë kujën.
Por, habitërisht, edhe kur sendërtohen shfaqje të kushtueshme e të bujshme “me dramaturgë me famë botërore”, ato nuk i ndjek spektatori. Shumica syresh, edhe pse, si thuhet në shtyp, kopjohen nga interneti, dështojnë dhe mbyllen pas disa shfaqjesh. Snobizmi dhe mediokriteti është i pamëshirshëm: vret edhe dramaturgët botërorë.
***
Në këtë vakum të artit, vetëm te ne mund të ndodhë të vihen në të njëjtën kohë në Tiranë, jo një, po dy “Arturo Ui”. Po a u përnderua Brehti dhe a u kapërcyen për nga niveli, pas gati 50 vjetësh, Pirro Mani dhe Kadri Roshi? Në diktaturë, “Arturo Ui” i Pirro Manit fliste bukurfort; po aktualitetit të sotëm, çfarë mesazhi do t’i kenë përcjellë vallë dy “Arturo Ui”-të? Edhe një “Shekspir” që shkoi para ca vitesh në Londër, la nam për nivelin e amatorizmit dhe mediokritetit. Këta shembuj provojnë se te ne nuk ka politikë kulturore kombëtare, pasi secili që ka diçka në dorë vepron ose për të mbushur xhepin, ose për të pasuruar CV-në, duke kujtuar se fama është si gripi: po ndenje afër Shekspirit dhe Brehtit, fama do të të ngjitet e, rrjedhimisht, diçka në këtë botë je edhe ti…
Falë kësaj mendësie nuk bëhet fjalë për konkurrencë as me fqinjët. Nuk ka logjikë tregu. Nuk ka klimë suksesi. Nuk ka hierarki vlerash. Spektatorët vazhdojnë të ikin në drejtim të paditur. Ndërrohen qeveritë, ndërrohen sakaq edhe drejtorët e institucioneve, por moçali nuk tërhiqet nga inercia për t’u bërë kënetë. Nuk ka politikë kulturore, nuk ka mbrojtje të identitetit kombëtar për veprat dhe autorët shqiptarë. Këta janë në mos të përbuzur, të braktisur e të harruar. E drejta e autorit është një fantazmë. Kush e ka fajin për këtë asfiksi, për të mos thënë vdekësi? E nëse përnjëmend fajin e paskësh mungesa e dramaturgjisë kombëtare, përse dështohet edhe kur përzgjidhen drama klasike si “Hamleti” dhe “Makbethi”? Në këtë rast, po ta shtrosh këtë pyetje dramatike, faji me siguri do t’i hidhet spektatorit, i cili…”nuk ka kulturë të mjaftueshme e nuk na kupton”…
Veteranët e teatrit dhe të kinematografisë ankohen e qahen nëpër kafene, ndërsa më të guximshmit edhe nëpër gazeta dhe ekrane, për nivelin mjeran e tejet dëshpëronjës të artit skenik bashkëkohor. Krahasimet me krijimtarinë në paliri me këtë të sotmen, në liri të pakufizuar, por në anarki të plotë vlerash, jo vetëm që janë të rrezikshme, por ndoshta edhe të mërzitshme. Pse jo, edhe të panevojshme e kotanake, pasi krahasimet dhe pyetje-përgjigjet çalojnë në shumë drejtime, sepse deri më sot ato nuk kanë ndihmuar për të nxjerrë ndonjë përfundim të dobishëm e të saktë për ecurinë e mëtutejme të artit tonë skenik.
Në këtë një çerek shekulli, pa harruar diktaturën, mjafton të vësh re emërimet në këtë fushë, që nga inspektorët, drejtorët e teatrove dhe institucioneve artistike e deri te ministrat, të gjitha qeveritë i kanë bërë jo vetëm me/mbi kritere partiake, por edhe si “plaçkë lufte” për mercenarët më të rëndomtë e pa pikë personaliteti. Nuk do të ndodhte ajo rropamë që ndodhi me Kinostudion, po qe se në krye të “Albafilmit” do të ishin vënë drejtues që kishin lidhje me filmin dhe që u dhimbsej, sadopak, arti kombëtar. Ashtu si po e zhveshim territorin nga pyjet, po e zhveshim edhe nga kujtesa. Mosdija e hipur në pushtet këtë e ka synim e qëllim primar, të vetvetishëm, sepse vetëm kështu e glorifikon veten.
***
Shumëkush ua vë fajin investimeve të pakta që bëjnë qeveritë për artin dhe kulturën. Edhe pse kjo është e vërtetë, Ministritë e Kulturës vazhdojnë të financojnë jo vetëm borderotë e teatrove, Qendrën e Kinematografisë, festivalet dhe panairet etj., si dhe projekte artistike të mëveçme moderne, mundësisht të tipit “instalacion”. Një gazetar investigativ le të shkojë në Ministrinë e Kulturës të shohë se sa financime janë dhënë për 25 vjet, ku kanë shkuar dhe cila ka qenë dobia e tyre. Më së shumti financimet kanë ikur në drejtim të paditur, për veprimtari që nuk kanë lënë asnjë gjurmë e më së shumti prishin shijet, sepse sponsorizojnë programe bujshimore, shoumatike, kryesisht me artistë të huaj, që bëjnë efekt të atypëratyshëm, vetëm për një natë, nj’ashtu si fishekzjarrët e një dasme katundi. Teatri i Operës është shembulli më i prekshëm i kësaj dukurie, kurse skena e Teatrit po shkon turravrap te koncepti i “vatrave të kulturës”, ku punon, nuk punon, rrogën, gjithsesi, e merr.
Por edhe pakësia e fondeve për artin e kulturën nuk është justifikim i besueshëm. Nuk është i mjaftueshëm e as bindës mungesa e financimeve, sesa keqpërdorimi sistematik i tyre. Mediokriteti në art e kulturë nuk shkulet vetëm duke dhënë fonde pa hesap për klientët partiakë ose farefisnorë. Aq më tepër kur ankesat e kërkesat zakonisht nuk i bëjnë artistët, të cilët janë të tulatur e mosmëkeq të shushatur ngaqë mezi mbijetojnë e nuk kanë jo më status, por as edhe një organizim sindikal a shoqatë. Në emër të tyre flasin e përfitojnë “producentët”, botuesit, të emëruarit partiakë, pronarët e mediave, hartuesit e specializuar të projekteve, të cilët, në këta 25 vjet, nëpërmjet tarafeve dhe klaneve “të institucionalizuara” kanë ditur të kapitalizohen, d.m.th. të pasurohen, pa i vrarë ndërgjegjja për mediokritetin që sjellin e mbjellin. Por edhe nëse artistët do të ngrenë zërin vetjakisht, ai zë bie në shkretëtirë, përplaset në muret e një administrate që nuk ka veshë, as sy, por vetëm xhepa; aq më pak përgjegjësi dhe ndjeshmëri minimale për këtë mbrapshti të stërzgjatur kulturore. Nëse gazetarët e kulturës punojnë në të zezë, artistët, kryesisht shkrimtarët, nuk e kanë as këtë të drejtë. Që të botojnë, ata duhet t’i paguajnë vetë botuesit. Ambasadat e huaja u japin botuesve (jo përkthyesve!) sponsorizime të majme që të botohen autorët e tyre në shqip, kurse Ministria jonë e Kulturës krijon çmime të posaçme për përkthimet (jo për ato nga shqipja në gjuhë të huaj, përkundrazi!), madje edhe për panaire të djathit, por jo për të stimuluar artin kombëtar, botimin e veprave, në rastin konkret dramën…Le po, edhe honoraret, – mund të përfytyrohen sa të pakta janë!, – taksohen si bizneset, 15%. Aq të pakta janë honoraret, sa përqindja e tyre që hyn në buxhetin e shtetit nuk është as sa një kokërr misri…As ligji për sponsorizimet nuk po ndryshon. Biznesmenët kur japin ndonjë lëmoshë, nuk duan t’ua përmendësh emrin, nga frika e ndëshkimit. Në të gjithë botën ligji për sponsorizimet ka efekt dhe ndihmon artin kur, në raport të drejtë me dhoron, ulen taksat e bizneseve.
U tha që Rilindja kësaj here i përzgjodhi drejtuesit e institucioneve me konkurrim. Por edhe sikur ky proces të ketë qenë i kulluar, pa ndryshuar në themel mënyrën e organizmit dhe drejtimit, d.m.th. pa bërë reformë, nuk mund të ketë përmirësim të qenësishëm. Se, si ka mundësi që drejtori i Teatrit të ketë mandat të paluajtshëm disavjeçar, njëlloj si deputetët, edhe nëse dështon me turp? Si u gjendën fonde për të modernizuar Kryeministrinë dhe nuk gjenden, prej vitesh, fonde për Teatrin Kombëtar që u rrezikoka nga shembja, sipas drejtorit aktual?
E megjithatë, në mjediset e Ministrisë së Kulturës nuk dëgjohet të flitet për reformë. Thuhet se do të ketë reformë në Drejtësi, në polici, në arsim, në dogana e tatime, në energjetikë etj., kurse në art-kulturë jo e jo. Sikur vetëm disa ndërhyrje të bëhen nga qeveria, klima artistike do të ndryshojë për më mirë. E pra, si shpjegohet që nga Ministria, që i financon teatrot, nuk vihet detyrim të luhen edhe pjesë kombëtare? Përse nuk disiplinohen drejtorët fuqiplotë (që bëjnë sikur drejtojnë demokratikisht me borde dhe sikur, me gjasë, realizojnë “dëgjesa” si në Francë…), me numrin e shfaqjeve e të biletave, d.m.th. të spektatorëve? Edhe në diktaturë teatri kishte një farë raporti me biletat, aq sa i detyronte trupat, sigurisht edhe për propagandë, të jepnin shfaqje nëpër katunde…Kurse sot, asnjë drejtor e asnjë bord nuk mban përgjegjësi kur një premierë “paketohet” që në natën e dytë. E pra, sipas repertorit, Teatri a nuk duhet të quhet Ndërkombëtar, e jo Kombëtar; ose, të paktën, Eksperimental?
Në një nga teatrot më të mëdha të Evropës, në Hagë, më thanë se teatrit i financohet vetëm 30% e buxhetit. Po përse te ne vazhdon e njëjta logjikë financimi si për kooperativat bujqësore, që na la pa bukë, e nuk zbatohet ekonomia e tregut, për të rritur cilësinë dhe konkurrencën si dhe për të shmangur varësinë nga politika, e cila ka pas shkuar deri aty, sa të urdhëronte drejtorët të fusnin në bordero edhe aktorë e artistë që nuk jetonin në Shqipëri? E vetmja “reformë” e kryer, në fakt, është e drejta “mbretërore” që kryeministri i ka dhënë vetes për t’i akorduar, kujt dëshiron ai, pension special. Ashtu si titujt “Nder i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh”, edhe “pensionet speciale” kanë shërbyer për të shpërblyer militantët dhe servilët partiakë, duke i dhënë dërrmën e fundit hierarkisë së vlerave.
Në Shqipëri është shkatërruar në themel infrastruktura artistike. Sepse askush nuk ka qenë i interesuar të kryhen reforma për të qenë. Sepse edhe shkollat e artit janë më të vajtueshmet për nga cilësia, duke e bërë zinxhirin e talenteve të ketë më pak vlerë se një ushkur. Kam pas besuar naivisht se kjo rënie ka ndodhur rastësisht, për shkak të rrokopujës së tranzicionit, por sot them se është rrënuar qëllimisht besimi i publikut dhe motivimi i artistëve e i shkrimtarëve që këta të mos kenë asnjë ndikim në shoqëri. Që vetëm krerët politikë të kenë ekskluzivitetin e ndikimit dhe sundimit.
Ka humbur magjia motorike e krijimtarisë, që është: besimi se edhe në këtë vend të vogël e të varfër ia vlen të jesh i talentuar, madje edhe të sakrifikohesh, të derdhësh mund e djersë, pasi një ditë do të dalësh në breg, do të kesh sukses. Të shkruash një roman, le më po të bësh një dramë a skenar, jo vetëm që nuk ia vlen, por po të tentosh të trokasësh nëpër dyert e institucioneve artistike, do të ndihesh i fyer, i penduar, i poshtëruar. Ky është dëmi më i madh që i është bërë shoqërisë. Si mund të hyjë në garë një atlet kampion me një të paralizuar (kulturalisht), kur paraprakisht dihet që garën do ta fitojë gjytrymi i partisë?
Kjo pra është drama e dramës sonë të përbashkët. Në këtë dramë, në këtë skenë, në këtë teatër absurd jemi të gjithë pjesëmarrës, ca si aktorë, ca si spektatorë. Njëkohësisht i bie të jemi edhe bashkëvuajtës, edhe sehirxhinj, d.m.th., edhe ballkanikë, edhe evropianë!
(g.b/GSH/BalkanWeb)
