Nga: KIÇO BLUSHI*
Këto zgjedhje që po trokasin në derë nuk kanë ndonjë ndryshim nga pararendëset. Kanë ndërruar ngjyrën posterat, por jo demagogjia; kanë ndërruar emrat e kandidatëve rishtarë, por jo lumi i gënjeshtrave dhe premtimeve. Përsëri dy parti kryesore, PD-PS, pajisur me militantë e komisionerë të thekur, dy tabore të gatshme për mësymjen e radhës, dy të ashtuquajtura koalicione rrëmbushur me parti fantazmë janë nisur turravrap drejt betejës elektorale e mediatike për t’u ndeshur e për të fituar me çdo çmim në një betejë-duel për “jetë a vdekje”. Natyrisht, gjithçka në emër e në dobi të kryetarit përkatës të partisë. Sa vjen e më tepër po personalizohen fushatat zgjedhore, njëlloj si partitë. Ata që i ndjekin pas kryetarët janë dekori i një turme anonime që ka për detyrë të duartrokasë e brohorasë, të votojë e më pas të vështrojë e numërojë yjet…
Por nëse si në çdo ndeshje, njëri prej dy kryetarëve do të fitojë e tjetri do të humbasë, e sigurt ka për të qenë që edhe kësaj here humbësi nuk do të dorëhiqet, pasi edhe atij do t’ia kenë “vjedhur e blerë votat”… Kështu ka për të ndodhur edhe pas 21 qershorit. Gjithsesi votuesit, edhe ata më të flaktit, janë përditësuar tashmë me rutinën “demokratike” të zgjedhjeve, ku votat “e lira dhe demokratike” ikin “në drejtim të paditur” për shkak të “listës së kryetarit”, formulës së Kodit Zgjedhor (sipas modelit spanjoll), si dhe ndryshimeve kushtetuese që e rroposën marrëdhënien e ndërvarur zgjedhës-i zgjedhur, duke vendosur kryetarin e partisë në majë të piramidës, ndërsa zgjedhësin dhe të zgjedhurin në fund të kazanit…
Në këtë klimë autokratike të Njësh-it, të ndjekur pas nga militantët e mercenarët e partisë, ia vlen të shtrohet pyetja: sa janë mundësitë të fitojnë kandidatët e pavarur, të shfaqur në këto zgjedhje si një risi këmbëmbarë e ndjellamirë për demokracinë?
***
Autoritarizmi i kapadainjve, përndryshe: kryetarllëku, ka qenë dhe ka mbetur motivi qendror i fushatave, motori lëvizës i levave të partisë. Partitë tona në këto 25 vjet pluralizëm nuk u bënë dot parti elektorale, rrjedhimisht as demokratike, por u përsosën duke u tjetërsuar nga parti të pajisura dikur me leva, në parti me mercenarë; apo, sipas një termi të ri të ditëve të fundit, në parti rondelesh, të cilat dinë të shqiptojnë me lezet vetëm fjalët ‘lepepeqe’ dhe ‘armiku i kryetarit është armiku ynë’!
Fillimisht kryetarët i rrëmbushën ekipet, asambletë e komitetet drejtuese të partive me rondele të sjella nga bashkitë e OJF-të (më vonë ato u quajtën KOP-e…) të cilat, nën trysninë e “çelësit anglez” të kryetarit do të bëjnë më të sigurt shtrëngimin e vidave me dadot në jetën e brendshme të partisë… Por rondelet e partisë nuk do të shërbejnë vetëm për të shtrënguar radhët (unitetin) rreth kryetarit, por në rast humbjesh të zgjedhjeve, mbështetja dhe votimi në parti për kryetarin (nëse do të bëhet) falë tyre, detyrimisht do të duhet të dalë gati 99%.
Më pas, falë “listave” që harton kryetari, u rrëmbush edhe Kuvendi me deputetë të inkriminuar, por edhe me deputetë-rondele, të cilët po ashtu do t’ia dinë për nder në jetë të jetëve vetëm kryetarit (afërmendsh jo anëtarësisë së partisë, as zgjedhësve) që i përzgjodhi dhe i përdori si të tillë… Tash po synohet operacioni (apo reforma?) i fundit e përfundimtar i rondelizimit jo vetëm i partive, po edhe i shoqërisë. Me të njëjtën metodë e qëllim janë përzgjedhur edhe emrat e kryetarëve dhe këshillave bashkiakë që kryetarët e partive, edhe po të humbasin, pas 21 qershorit të kenë të sigurt kontrollin e partisë, të shoqërisë, të mediave e të pushteteve, si në qendër e në periferi, si kur janë në qeveri dhe në opozitë.
Kjo po që është një tjetër risi e këtyre zgjedhjeve.
***   
Edhe në këto zgjedhje, që sapo kanë nisur, nuk do të ndeshen dy alternativa, dy mënyra të ndryshme qeverisjeje, paçka se nga të dy kryetarët, Basha dhe Rama, po synohet të na mbushet mendja se me njërin do të shkojmë “në drejtimin e duhur” e me tjetrin në humnerë. Dhe anasjelltas. Këto përpjekje të intensifikuara rëndshëm në propagandë, me diarre të pasosur fjalimesh, nuk do të mpakin dot mosbesimin në rritje te klasa politike. Kësaj here ka rrezik të ketë një abstenim mbarëpopullor në zgjedhje si dhe vota të bardha për faj të lodhjes nga zhgënjimi i tejzgjatur. Vështirë të mos ndodhë një ndëshkim për të dyja partitë e mëdha, si bëri vaki këto ditë në Spanjë e më parë edhe në Greqi. Me sa duket, si një rrugëdalje më e mirë nga qorrsokaku janë shfaqur, bash për këtë shkak, edhe tek ne, për herë të parë, kandidatë të pavarur. Në të vërtetë ky është ndryshimi më esencial që po sjell 21 qershori.
Po cilat do të jenë shanset dhe mundësitë që të fitojnë të pavarurit? A do të ndikojnë ata me rezultatin e tyre për të ndryshuar e përmirësuar sadopak klimën dypolare të autoritarizmit dhe të arbitraritetit në rritje të kryetarëve të dy partive? Vështirë. Sepse të pavarurit edhe me Kod Zgjedhor janë dënuar “me vdekje”, edhe pa lindur. Qëllimisht e djallëzisht. Mjafton të shihet kuadri ligjor, për t’u bindur se sa pak vend u jepet atyre në fushatë. Sepse partitë (më sak: kryetarët e tyre) janë vetëshpallur e ligjëruar pronarë të vetëm dhe absolutë të shoqërisë, të zgjedhjeve, të emërimeve në të gjithë institucionet e pavarura, pse jo edhe të demokracisë. Ata kanë në dorë madje edhe kush mund të jetë e madje edhe se si do të duhet të sillet një i pavarur.
Kështu, nëse në Tiranë do të fitojë Bojaxhiu, a do të ketë ky mundësi të drejtojë normalisht bashkinë dhe të zbatojë premtimet e bëra, teksa dy partitë kryesore presupozohet të kenë të siguruara, paraprakisht, ende pa u bërë zgjedhjet, jo më pak se 30% të votave, gjë që do të thotë se pas 21 qershorit, ata së toku do të kenë shumicën dërrmuese në Këshillin Bashkiak? A nuk do të bashkohen ata që të bllokojnë, paralizojnë, për ta çuar në faliment “armikun e pavarur” të partisë, si kanë pas bërë rëndom me njëri-tjetrin?
***   
Nuk është rastësi që në të gjitha zgjedhjet te ne nuk ka pasur të pavarur që të hyjnë mëvetësisht e denjësisht në zgjedhje. Ka qenë e pamundur, jo pse nuk kemi pasur personalitete, as pse nuk kemi mjaftueshëm OJF-ëra, as pse nuk ka pasur financime (janë dhënë miliona euro!) nga ndërkombëtarët për to!… Me sa duket, vetëm Sorosi ka punuar me mend, me projekte të qarta e me rezultate të sakta në këto vite, duke i detyruar të pavarurit e sponsorizuar prej tij, që për të marrë nesër pushtetin, të futen nëpër parti…
Kjo e ka dëmtuar rëndë imazhin dhe funksionimin e të pavarurve në shoqëri. Gjithsesi, edhe pse klima është mbytëse e paralizonjëse, dalja në skenë e kandidatëve të pavarur është një ogur i mirë. Edhe pse të paktë në numër, edhe sikur të mos fitojnë, duke mos qenë pjesë e skemave dhe kulisave partiake, ata do të ndikojnë pozitivisht në mendësinë e zgjedhësve dhe mënyrën e votimit sipas formulës klasike “për inat të sime vjehrre”… Nëse nuk do të blihen dot, me siguri ata do të akuzohen si vegla të kundërshtarit, për t’i shfaktorizuar, për t’i demotivuar, poshtëruar e diskredituar. Por ama, po të qëndrojnë me dinjitet deri në fund, pavarësisht nga votat që do të marrin, të pavarurit, edhe pse janë të paktë në numër, do të ulin potencën e agresivitetit të partive të mëdha… Ky do të jetë një kontribut jo i vogël historik për një shoqëri të mbetur gjatë në vjegën e tranzicionit!
Deri dje ka qenë e vështirë, në mos e pamundur, të hyje në lojë si i pavarur i njëmendttë, pasi politika ka qenë tejet e militarizuar, një fushë beteje për dy partitë e mëdha. Të guxosh të futesh në politikë pa një sigël partie dhe sidomos në një garë elektorale pa bekimin e një kryetari të madh është si të ecësh në një fushë të minuar. Në vendet demokratike Kodet Zgjedhore u kanë siguruar hapësira lehtësuese të pavarurve (jo vetëm financiare dhe organizative), deri aty sa, nëse bashkinë e fiton një kandidat i pavarur, pra nëse merr një mandat popullor, ai ka të drejtë ekskluzive të fusë në këshill një numër të caktuar këshilltarësh që të mos jetë e të mos mbetet i bllokuar. Por te ne kjo nuk përfytyrohet e as mund të lejohet nga dyja partitë, të cilat i kanë hartuar kodet dhe ligjet në interes të jetëgjatësisë së tyre në pushtet.    Kandidatët e pavarur janë të detyruar nga kushtëzimi “ligjor” të mbledhin kaq e aq firma, shoqëruar me numrin e kartës së identitetit të simpatizantëve. Gjithsesi, ky është halli më i vogël, paçka se mund të quhet një votim paraprak ende pa nisur fushata. Ata janë të pabarabartë në financime, legale dhe ilegale, në mungesën e strukturave, të komisionerëve, të militantëve dhe mercenarëve. Janë të pabarabartë në qasjet mediatike nëpër televizione, gazeta, postera, debate dhe billborde, e rrjedhimisht edhe të destinuar të bien nën bombardimin e dy qendrave të zjarrit, pasi secila nga dy partitë e mëdha, jo pa të drejtë beson se i pavaruri do “t’u hajë kokat”, dmth. votat që lipsen mbi 30 përqindëshin e presupozuar të garantuar. E gjithë kjo atmosferë mbytëse synon të paralizojë votuesin për ta bindur: është e kotë të votosh për ta…
Dihet që në Shqipëri është punë e rrezikshme jo vetëm të hysh në zgjedhje si kandidat i pavarur, që konkurron me më të fortët, por edhe të mbijetosh si intelektual i pavarur. Mjafton të ndjekësh rrjetet sociale për t’u bindur se po të shfaqësh mendime dhe opinione të lira, jo partizane, jo partiake, do të jesh i sulmuar rrugaçërisht. Madje, edhe si qytetar i thjeshtë, po të vetëdeklarohesh jopartiak, e sigurt është se mbetesh i papunë… Edhe sikur të jesh biznesmen i fuqishëm dhe i ndershëm, pavarësinë ke për ta paguar tepër shtrenjtë. Kjo e ka vrarë sistemin demokratik që në qelizë. Sepse një shoqëri si e jona, bipolare, konfliktuale, militare, të vetmin model suksesi ka mercenarin partiak, njeriun servil e pa dinjitet që i ndërron bindjet dhe partitë më kollaj se Sulltan Sulejmani gratë e haremit.
E megjithatë, votuesi i sotëm ka ndryshuar.
Sepse kësaj here të pavarurit do të marrin aq vota, sa të çmilitarizojnë deri diku partitë dhe kryetarët e tyre, gjë që deri më sot ka qenë mision i pamundur e i vështirë. Duke hyrë seriozisht në lojë, të pavarurit mund të sjellin dhe me siguri do të garantojnë ekuilibrin e munguar e të cunguar mes zgjedhësit dhe të zgjedhurve, ndërrimin e elitave, çmontimin dhe shfaktorizmin e kryetarëve të përjetshëm e të padiskutueshëm, dmth. funksionimin më normal të demokracisë. Edhe kaq mjafton për t’i nderuar, qoftë po të humbasin.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: