TIRANË

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili del kundër Komisionit të Pavarur të Monitorimit të Reformës në Drejtësi për rastin e anëtarit të KPL, Bujar Sheshi, për të cilin opozita thot♪7 se ka qënë ish-sigurims. Ndërsa ky komision kërkoi hetime e verifikime, sipas Vasilit, s’ka bërë gjë tjetër, veçse ka bërë alibinë e Prokurores së Përgjithshme.

Sipas tij, kryeprokurorja është e vetmja që mban përgjegjësi, ndaj edhe duhet shkarkuar për rastin Sheshi.

STATUSI I PLOTE

Komisioni i Pa(varur) i Monitorimit te Reformes ne Drejtesi sheh gjurmet, por jo ujkun.

Ky komision eshte banalizuar ne veprimin e tij, duke bere thjesht alibine e Prokurores se Pergjithshme.

Prokurorja e Pergjithshme ka shkelur haptas dhe ne menyre skandaloze ligjin dhe detyrimet e nenit 279.

Komisioni i pavarur i monitorimit i hedhur si gome shpetimi i prokurores pergjithshme na tregon rrugen ” e lagu s’e lagu bishtin dhelpra” me komisione ligjesh, me gjoja verifikime vonesash etj dengla si keto.

Ka vetem nje fajtor qe eshte prokurorja e pergjithshme.

Ka vetem nje skandal,qe eshte shkelja e ligjit dhe miratimi i kandidatures se prokurorit Sheshi pa kryer verifikimet.

Ka vetem nje zgjidhje qe eshte shkarkimi i saj dhe fillimi i ceshtjes penale per shperdorim te detyres shteterore.

Ka vetem nje institucion te shplare nga vlera,qe sheh gjurmet por nuk sheh ujkun, qe eshte Komisioni i Pa(varur) i Monitorimit te Reformes ne Drejtesi.

 

Ndërkohë më herët Vasili u shpreh se:  Shqipëria sot është pa prokuror të Përgjithshëm. Ai shtoi se roja i ligjit ka ndryshuar rol dhe në vend që të mbrojë ligjet e rregullat bën të kundërtën duke i dhunuar ato. Duke komentuar për mos verifikimin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi,Vasili shprehet se kryeprokurorja mashtroi të gjithë qytetarët.

Prokurori dhe anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi është akuzuar si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ndërsa këto akuza i ka hedhur poshtë vetë prokurori.

Deklaratë e plotë:

Jemi sërisht këtu tepër të shqetësuar për situatën tepër të rëndë, në të cilën ka hyrë institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm dhe mund të konkludojmë që Prokurori i Përgjithshëm është vendosur tërësisht kundra ligjit, kundra Kushtetutës dhe ka vendosur të mashtrojë dhe të shpërdorojë gjithmonë e më shumë detyrën shtetërore.

Konkretisht për çështjen e një anëtari të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prokurorit Bujar Sheshi dhe mosverifikimin e kryer nga Prokuroria shqiptare lidhur me këtë prokuror, sot Prokurorja e Përgjithshme ka sqaruar se ajo e ka përcjellë kandidaturën e këtij prokurori, pasi sipas saj, verifikimi te Autoriteti i Dosjeve, nuk është një prej kritereve të parashikuara në ligj.  Sot Prokuroja e Përgjithshme në këtë mënyrë mashtroi.

Pse mashtroi të nderuar qytetarë? Ligji nr. 115 për organin qeverisës të drejtësisë, i miratuar si pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi. Çfarë thotë? Do t’ju lutesha të nderuar qytetarë të jeni të vëmendshëm për të kuptuar se si mashtron Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.

Në procedurat e zgjedhjes anëtarëve së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në të cilin do të zgjidhej ky prokuror si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, çfarë thuhet? Pika 2, Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme, pra duhet ti plotësojnë. Pika (dh) thotë shprehimisht: të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të Sigurimit të Shtetit para korrikut të vitit 1991. Ligji e thotë qartë që të mos kenë qenë dhe më lart pika 2 thotë kushtet që duhet të plotësojnë.

Pra kushti i verifikimit ka qenë kusht kualifikues, ku një kandidat që nuk i plotësonte duhej të skualifikohej dhe nuk mund të vazhdonte garën.

Prokurori i Përgjithshëm gjithashtu, duke u përpjekur të dalë nga situata shumë e rëndë në të cilën ndodhet pa rrugëdalje, do t’ju shpjegojë edhe Sekretaria e Prokurorisë tonë që kanë bërë verifikimin. Jo! Opinioni publik duhet të dijë që përgjegjësia bie vetëm mbi Prokurorin e Përgjithshëm. Çfarë thotë ligji përkatës, neni 109: Që nga dita kur mbyllej afati për dorëzimin e shprehjes së interesit nga kandidati. Saktësisht, të nderuar qytetarë jini të vëmendshëm, nën përgjegjësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, administrata e Prokurorisë së Përgjithshme verifikon plotësimin e kushteve nga kandidatët sipas përcaktimeve përkatëse.

Pra ligjvënësi ka përcaktuar vetëm një përgjegjës: institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërsa neni 279 është asgjësues. Ai thotë: Prokurori i Përgjithshëm verifikon përmbushjen e  kritereve ligjore, sipas proceduarve të parashikuara në nenin 109 të këtij ligji. Dhe në rast se kandidati nuk i plotëson kriteret, Prokurori i Përgjithshëm njofton kandidatët në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Kushti pra ishte detyrues dhe ndodhej saktësisht në nenin 105. Pra të mos ketë qenë anëtar i Sigurimit të Shtetit. Dhe këtë verifikim dhe këtë vulë mund t’ia vinte vetëm Agjencia e Dosjeve, e cila është përgjigjur në janar të këtij viti. Dhe Prokurorja e Përgjithshme pa pritur përgjigjen, pra pa verifikuar integritetin e figurës së kandidatit e ka përcjellë për t’u votuar. Prokurori i Përgjithshëm ka detyrë me ligj që të jetë ai dhe vetëm ai që verifikon që ky kandidat ka integritet, është i pastër dhe mbetet vetëm çështja e votimit. Fiton apo s’fiton një kandidat në garën e hapur, është një çështje që ka pak rëndësi.

Ligji ka thënë që Prokurori i Përgjithshëm është përgjegjësi. Kushtet duhet të përmbushen nga i pari tek i fundit janë të vendosura në ligj, dhe kush nuk i plotëson skualifikohet. Prokurori i Përgjithshëm ka çuar shkresën e dosjeve në datë 26, pa pritur përgjigjen në datën 31 e ka quajtur kandidaturën të rregullt dhe pa probleme. Kandidatura ka konkurruar dhe ka fituar, ndërkohë që verifikimi ka ardhur në datën 22 dhe kanë dalë problemet përkatëse.

Sot të nderuar qytetarë Shqipëria është pa Prokuror të Përgjithshëm sepse ai që duhet të ishte roje e pakalueshme në zbatimin e legjislacionit, jo vetëm e shkel dhe e dhunon, por aq më keq si sot që mori përsipër dhe të gënjente publikisht duke thënë se kushti për të mos qenë anëtar apo ish bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit nuk qenka një kusht detyrues. Ua thashë prapë neni 105 thotë në mënyrë taksative: të mos ketë qenë dhe përcakton që këto kushte janë detyruese.

Pra dhe njëherë tjetër Shqipëria është pa Prokuror të Përgjithshëm dhe shkarkimi i këtij Prokurori duhet të ndodhi, nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë propozimi duhet të vijë sa më parë në Kuvend. Pasi dhe çdo vonesë që KLP bën në mos shqyrtimin dhe mos marrjen e kësaj mase e implikon shumë rëndë atë Këshill, Reformën në Drejtësi dhe implikon shumë rëndë në shkeljen e legjislacionit dhe integriteti të asaj reforme që siç ishte imagjinuar, ishte një shpresë për ndryshim të drejtësisë shqiptare. Faleminderit.

(n.m/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb