Në mbyllje të Kongresit, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi edhe deklaratën e Presidentit Ilir Meta, të bërë disa ditë më parë nga Pogradeci, ku tha se do të vetësakrifikohej si Salvador Allende, me qëllim që në vend të mos instalohej një juntë, për shkak të krizës politike.

Ai tha se kreu i shtetit duhet të rrijë i qetë pasi Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe deklaratën e presidentit e quajti thjesht si “ëndërr të keqe”.

“Sipas fjalës së kryeministrit, Edi Rama, i cili ishte sot vetëm 50 metra në vijë ajrore nga presidenca dhe besoj se edhe presidenti është qetësuar, sepse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s . Dhe besoj se është qetësuar për ëndrrat e këqija që kish parë para pak ditësh”, tha mes tjerash  Balla.

I pyetur mbi deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të PD, i cili e komentoi ndryshe sfidën e kryeministrit për opozitën, Balla tha se deklarata e kryeministrit Edi Rama ishte shumë e qartë.

“Rama ishte shumë i qartë ftesa jonë për opozitën për të marrë pjesë në zgjedhje ishte shumë kuptimplotë. Të marrin pjesë në zgjedhje nëse marrin një bashki më shumë se ne, të shkojmë pastaj në zgjedhje.” – theksoi Balla

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla përmbylli punimet e Kongresit duke lexuar deklaratën e miratuar me unanimitet në Kongres ku vihet theksi në vijimin e reformave si edhe situata aktuale politike.

“Ky Kongres vendosi piketat për zgjedhjet e qershorit 2019 por edhe të zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2021.” -u shpreh Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: