Partitë opozitare janë shprehur të gatshme për bashkëpunim dhe kanë kërkuar formimin sa më të shpejtë të institucioneve. Ato kanë deklaruar se nuk kanë vija të kuqe për bashkëpunim me partitë shqiptare, me përjashtim të Listës Serbe. Ndërkohë, çështja e zgjedhjes së presidentit mbetet një nga temat kryesore të diskutimit. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vazhdon ta konsiderojë kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente si pikënisje të çdo diskutimi politik.
Ky ishte mesazhi i parë i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të dielën pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve. “Nuk kemi vija të kuqe për asnjë parti shqiptare, përveç Listës Serbe. Për ne është e rëndësishme që vendi të ketë institucione funksionale”, deklaroi Abdixhiku. Bartësja e listës së LDK-së dhe kandidatja e kësaj partie për presidente, Vjosa Osmani, u shpreh më e prerë sa i përket kësaj çështjeje. “Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye që të më refuzojë mua për presidente të shtatë të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.
Megjithatë, të hënën, në një postim në Facebook, teksa falënderoi qytetarët për mbështetjen, ajo theksoi se emri i saj “as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të bëhet pengesë për krijimin e institucioneve”. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila mbetet forca e dytë politike dhe partia më e madhe opozitare, doli në konferencë për media, ku kryetari i saj, Bedri Hamza, tha se partia kishte pritur rezultat më të mirë, por tani prioritet mbetet bashkëpunimi institucional.
“Asnjëherë nuk kam pasur vija të kuqe për asnjë parti, as tani dhe as në zgjedhjet e kaluara. Mendoj se tani duhet të fillojë puna për formimin e institucioneve. Është e rëndësishme të konstituohet Kuvendi sa më shpejt, të formohet qeveria dhe të zgjidhet presidenti, në mënyrë që të mos ketë vakum institucional”, deklaroi Hamza. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, falënderoi votuesit e partisë së tij, pa dhënë detaje lidhur me hapat e ardhshëm politikë. “Ne e respektojmë çdo votë deri në përfundim të procesit të numërimit dhe shpalljes së rezultateve”, tha Gjini.
Analistët politikë vlerësojnë se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje përbën një sinjal pakënaqësie të qytetarëve ndaj të gjitha partive politike. Analisti politik Albinot Maloku vlerëson se një nga sfidat kryesore në procesin e negociatave mbetet qëndrimi i LDK-së lidhur me postin e presidentit. “Në deklarimet e tyre pati mesazhe të forta, por nëse thuhet se pikënisja e një marrëveshjeje është kandidatja jonë për presidente, ndërsa njëkohësisht thuhet se nuk ka vija të kuqe, këto dy qëndrime nuk përputhen. Kur nuk ka vija të kuqe, alternativat duhet të mbeten të hapura dhe nuk mund të përcaktohet paraprakisht një pikënisje e detyrueshme”, tha Maloku.
Rezultati përfundimtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) pritet të publikohet pas numërimit të votave nga diaspora, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta./Tv.Dukagjini
