Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, ishte i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ku ndër të tjera u pyet për rolin e Monika Kryemadhit në fushatën e PL në Tiranë për presidentin e kësaj force politike, Ilir Metën, i cili ndodhet në burg.
Haxhinasto tha se rezultati për Ilir Metën më 11 maj do të jetë në dorë të qytetarëve.
I pyetur për një rikthim të mundshëm të Monika Kryemadhit në parti, kreu i Komitetit Drejtues të PL u shpreh se ndryshimet statutore do të respektohen.
Edmond Haxhinasto: Për rastin konkret kryesia e PL i kërkoi zyrtarisht zotit Meta të jetë i dytë në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë, por nuk u pranua nga ai.
Argumentimi ka qenë shumë parimor, i qartë. Zoti Meta ka qenë ndër ata që kërkuan të mos mbylleshin listat dhe partitë të mos ktheheshin në parti të kryetarëve. Në këtë sistem vlerash, Meta mori vendimin që të shkojë në parlament vetëm nëse është vullneti i qytetarëve.
Sa i takon rikthimit të Kryemadhit në Partinë e Lirisë, në konventën e kaluar janë bërë disa ndryshime statutore që kanë rregulluar çështjen e përfaqësimit të grupeve, individëve të caktuar.
Dispozitat statutore do të respektohen.
(BalkanWeb)