Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur për mënyrën se si do të funksionojë opozita në zgjedhje. Ai tha se në primare mund të marrin pjesë edhe kandidatë të PL, në ato bashki ku ata e ndjejnë veten më të sigurt.

Meta deklaroi në “Opinion” se beteja më e fuqishme politike do të jetë në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, ndërsa shtoi se fokusi i Partisë së Lirisë në këto zgjedhje do të jenë në këshillat bashkiakë.

“S’kam ndërmend të ndërhy të favorizoj askënd. Nëse duhet të gjejmë pretekste, s’do të gjejmë modele pa kontestuar. Do të kemi kandidatë të ndryshëm. Dy-tre javët e ardhshme do të dalin kandidatët e Durrës, Elbasan, Tiranë. Në këto qytete kryesore do të jetë garë e fortë, po kudo në Shqipëri do të jetë gara. Unë e quaj Ramën lepurush se përpiqet të tmerrojë shqiptarët. Prandaj ia them unë këtë gjë. Rama fushatën e vjedhjeve nuk e ndalon asnjë sekondë. Ai po takon administratën.

I dinë shqiptarët se çfarë takon ai. Ai takon administratën, patronazhistët. Kjo është kostoja e vërtetë e qytetarëve shqiptarë. Ai ka kryer vjedhje me inceneratorët. Me PPP. Nuk shton rrogat e pedagogëve që t’i bëjë sa kolegët e Kosovës. Nuk u jep policëve shpërblimet. Ai vetëm këtë gjë di të bëjë. Që Rama ka vjedhur dhe që ai aty e ka mendjen nuk diskutohet. Kjo është betejë e vërtetë jo për t’u justifikuar. Alternativa ndryshe është, edhe referendumi. Është garancia më e madhe që ata do të marrin fatin e tyre në duart e tyre. Edhe primaret janë një fat i madh. Edhe rikthimi i këshillave bashkiakë në parlamente, ku do të flasin qytetarët. E keni parë nën Lizën që del nga shtëpia, familjet ku u hedhin gaz? I keni parë.

Ata nuk do të jenë më në mes të rrugës. Ka kandidatë në PL që insistojnë për të qenë kryetar bashkish. Aty ku ka, kjo do të vlerësohet në përputhje me bashkinë përkatëse. Çdo përpjekje për të nxitur PL, është interes i Ramës. Interesi i PL është shumë më i madh, se sa me marrë disa këshilltarë më shumë. Duhet çrrënjosja e rilindjes dhe një model i ri”, u shpreh Meta.

Meta tregoi nëse PL do të ketë ndikimin e saj në zgjedhjet e kandidatëve për kryetarë bashkish në vend.

“Për ne çdo emër që garon sidomos atje ku ne nuk kemi interes të PL, është i barabartë dhe ka rëndësi. Preferenca ime është që ata të bëjnë një proces sa më pozitiv, në mënyrën se si duhet zgjidhur dhe të respektojmë njëri-tjetrin. Nuk kemi asnjë kusht ne si PL përveç përpjekjes madhore për ta maksimizuar energjitë e të gjithë popullit opozitar dhe për të arritur çrrënjosjen e Rilindjes. Partia kryesore në opozitë është PD.

Partia e dytë është PL. Padyshim që ka edhe shumë forca të tjera. Kemi dhënë model parimor. Marrim rastin e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Me fitoren e kandidatit të opozitës, PL është faktor vendimtar në këshill dhe kryetar i këshillit do të jetë kandidat i PL. Rruga e bashkëpunimit në mënyrë parimore është e hapur për të gjithë. Unë s’kam hyrë dhe s’do të hy në negociata me partnerët e tjerë të mundshëm”, u shpreh kreu i PL.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: