Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dalë në një konferencë për mediat për të folur sërish për aferën e inceneratorëve dhe evazionin fiskal që është bërë nga kompani të ndryshme, e pranuar tashmë edhe nga Ministria e Financave.

“Ministria dje pranoi se qenkan 500 kompani të tilla, me disa që janë dënuar dhe disa jo. Por unë kam një pyetje! A ka audituar ndonjëherë Ministria e Financave inceneratorët e Fierit, Elbasanit, apo Tiranës. Nëse që prej 2015 këto kompani janë hetuar për shkelje në deklarimin e të ardhurave”, tha ajo.

Më pas Kryemadhi shtoi se personat e përfshirë në skemën e evazionit fiskal me faturat e fryra artificialisht të inceneratorëve preken nga 4 pika të kodit penal.

“Meqenëse inceneratori i Tiranës na doli menjëherë e foli së bashku me avokatin e inceneratorit, Erion Veliaj. Unë kam një pyetje për ta edhe Edi Ramën që është pronari i vërtetë i inceneratorit të Tiranës, pse keni frikë, pse nuk flisni për inceneratorin dhe investimet që keni bërë. Sot qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë paguajnë për investimin 128 milionë euro, me të vetmin kusht që është 29 lekë për ton. Nëse ky investim do të ishte i ndershëm Edi Rama dhe avokati i inceneratorit të Tiranës nuk do të kishin frikë të bënin transparencë. Transparencë po kërkojmë. Ajo që dua të kujtoj është se në çështjen e tmerrshme te evazionit fiskal, janë 4 pika të kodit penal që janë shkelur, ku përfshihet Klodian Zoto dhe gjithë skema mashtruese për të grabitur buxhetin e shtetit. Ulin pensionet, shërbimet në arsim, pagat e administratës publike për të financuar inceneratorët. Janë katër pika të kodit penal për këtë çështje:  Neni 180 i kodit penal, fshehje e të ardhurave; neni 181 për mosdeklarim të të ardhurave; neni 181 (pika a) Këto pika nxjerrin evazioni fiskal që është kryer me inceneratorët”, deklaroi Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb