Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, ka kundërshtuar në Kuvend draftin e mazhorancës për reformën territoriale, duke akuzuar socialistët se po tentojnë të ndryshojnë hartën administrative pa zhvilluar më parë një diskutim të plotë mbi financat, decentralizimin dhe autonominë vendore.
Bozdo tha se vendimi për shkrirjen e 15 bashkive nuk mund të merret pa u diskutuar më parë mënyra se si do të funksionojë financimi dhe autonomia e njësive të reja vendore.
“15 bashki që shkrihen janë marrë me shqelma, por duhet të ikin. Sapo na u bë ftesa nga grupi i PS-së t’i bashkohemi reformës territoriale. A mund të më thoni si mundet të grabitet harta pa folur më parë për financat, decentralizimin, pa folur për autonominë vendore?”, u shpreh deputeti demokrat.
Ai e krahasoi mënyrën e trajtimit të hartës territoriale me ndarjen e një byreku në tavolinë, duke kritikuar mungesën e diskutimit për çështjet financiare dhe autonominë e pushtetit vendor.
“A mundet të ndahet harta siç ndahet byreku në tavolinë, pa folur për gjëra kaq të rëndësishme? Dhe kur për financat, për decentralizimin, për autonominë vendore, që është rrënuar nga Rama, nuk flitet fare”, deklaroi Bozdo.
Sipas tij, mazhoranca po synon fillimisht të ndryshojë hartën administrative dhe vetëm më pas të kërkojë diskutimin me opozitën për mënyrën se si reforma mund të përmirësohet.
“Do t’i fshijë bashkitë nga harta dhe pastaj do të na ftojë ne pas një jave të diskutojmë se si mund të bëhet më mirë harta territoriale”, përfundoi Bozdo.
