Të veshësh të njëjtin xhinse apo një pulovër për herë të dytë pa i larë konsiderohet krejt normale. Edhe një bluzë mund të përdoret më shumë se një ditë. Por kur bëhet fjalë për çorapet, situata ndryshon ndjeshëm.
Sipas ekspertëve, nëse do ta dinim se çfarë ndodh realisht brenda çorapeve pas vetëm një dite përdorimi, ndoshta do t’i shikonim ndryshe. Këmbët tona strehojnë një “pyll tropikal” mikroskopik me baktere dhe kërpudha – deri në 1.000 lloje të ndryshme mikroorganizmash. Krahasuar me pjesë të tjera të trupit, këmbët kanë një larmi shumë më të madhe kërpudhash dhe një numër të lartë gjëndrash djersitëse.
Mjedisi i ngrohtë dhe i lagësht mes gishtërinjve krijon kushtet ideale për shumimin e baktereve dhe kërpudhave, të cilat ushqehen me djersën dhe qelizat e vdekura të lëkurës. Nënproduktet e këtij procesi janë përgjegjëse për aromat e pakëndshme që zhvillohen në këmbë, çorape dhe këpucë.
Disa baktere prodhojnë aroma që ngjajnë me qepë të prishur, të tjera me djathë, ndërsa disa krijojnë përbërje acidike me erë që është përshkruar madje si “erë dhie”. Sa më shumë të djersiten këmbët, aq më shumë “ushqim” kanë bakteret – dhe aq më e fortë bëhet aroma. Ekspertët rekomandojnë ndërrimin e përditshëm të çorapeve, përdorimin e materialeve që lejojnë ajrosjen e këmbës dhe higjienë të rregullt, për të shmangur zhvillimin e baktereve dhe infeksioneve të mundshme kërpudhore.
