Kur lexova shkrimin e Ylli Manjanit për transferimin e Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, i dhashë plotësisht të drejtë. Manjani tallej me deputetët socialistë që ishin shqetësuar për fatin e kolegut të tyre dhe i krahasonte me komisionet e dikurshme që ndanin fletë-kampet e pushimeve.
Kishte të drejtë. Deputetët nuk janë zgjedhur për t’u gjetur miqve një qeli më të rehatshme. Detyra e tyre është që të gjithë të burgosurit të trajtohen njësoj, sipas ligjit.
Por atëherë nuk dija ato që dolën më pas.
Nuk dija se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, kishte shkuar te Veliaj. Dhe sipas raportimeve, nuk kishte shkuar si ministër. Nuk kishte shkuar për të inspektuar kushtet e burgut apo për të parë si trajtohet një i burgosur. Kishte shkuar inkonjito, pa u shënuar në regjistrin e vizitave, sikur të mos kishte qenë fare atje.
Një ministër i Drejtësisë që hyn në burg pa lënë gjurmë nuk është në mision zyrtar. Atëherë, në çfarë misioni është?
Përgjigjen, sipas tij, e jep vetë Veliaj. Ai thotë se ministri i ka sjellë një mesazh në emër të kryeministrit Edi Rama: të pranojë se ka qenë pas protestave të studentëve, të heqë dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia kalojë kompetencat një personi të caktuar. Madje edhe të mos dëgjojë më avokatin e tij, Plarent Ndreca. Përndryshe, thotë Veliaj, do të përballej me akuza të reja dhe me pasoja të rënda për lirinë e tij.
Ministri Gogu i mohon kërcënimet. Pra, këto janë pretendime dhe duhen verifikuar. Por, vizita pa regjistrim, nëse vërtetohet, nuk është pretendim i Veliajt. Është fakt që i kërkon shpjegim institucionit, jo të burgosurit.
Tani le ta themi hapur: si quhet kjo skemë?
Shkon te dikush që ndodhet në duart e tua. Shkon pa dëshmitarë, pa letra, pa gjurmë. I thua se çfarë duhet të japë: postin, pushtetin, avokatin. Dhe i lë të kuptojë se çfarë e pret nëse nuk bindet.
Kështu ka punuar ‘Ndrangheta. Kështu kanë punuar të gjitha organizatat mafioze: me presion, me frikë dhe me “oferta” që nuk refuzohen. Njerëzit dorëzonin pronat, bizneset dhe të drejtat e tyre jo sepse donin, por sepse e dinin çfarë ndodhte në të kundërt.
Nuk po them se qeveria shqiptare është mafie. Por po pyes: nëse një ministër shkon fshehurazi te një i paraburgosur dhe i kërkon të heqë dorë nga mandati i tij, ndryshe nga ç’thotë ligji, me kërcënimin e akuzave të reja, a nuk sillet edhe mafia kështu?
Këtu nuk flitet më nëse burgu i Fierit është më i mirë apo më i keq se ai i Durrësit. Këtu pyetja është nëse burgjet, akuzat dhe kushtet e izolimit mund të përdoren si levë për t’i marrë dikujt atë që nuk e jep vullnetarisht.
Erion Veliaj është kryetar i zgjedhur i Tiranës. Akuzat ndaj tij janë të rënda dhe për to do të vendosë gjykata. Por as paraburgimi, as akuzat nuk i japin kryeministrit të drejtën të pazarojë mandatin e tij. Dhe askush në qeveri nuk ka të drejtë t’i thotë një të pandehuri cilin avokat të dëgjojë.
Ka edhe anën politike. Rama dhe Veliaj kanë qenë për vite me radhë krah për krah. Sot janë në luftë të hapur. Veliaj thotë se nuk do ta sulmojë Partinë Socialiste, por as nuk do të lejojë që kryeministri t’ia nëpërkëmbë dinjitetin. Pra, ai po e ndan partinë nga kreu i saj. Por nëse kjo përplasje është zgjidhur me ministra që hyjnë fshehurazi në burg, atëherë nuk kemi më një sherr brenda PS-së. Kemi shtetin në shërbim të një hesapi personal.
Unë nuk e kam ndryshuar mendimin për përgjegjësinë penale të Veliajt. Akuzat duhet të hetohen dhe të gjykohen deri në fund. Nëse është fajtor, le të dënohet. Por edhe një njeri i akuzuar për krime të rënda ka të drejtë të mos kërcënohet dhe të mos bëhet monedhë pazari politik.
Prandaj sot e shoh ndryshe edhe shqetësimin e deputetëve socialistë. Ndoshta nuk kërkonin një qeli më të mirë për kolegun. Ndoshta e kishin kuptuar se transferimi nuk ishte thjesht një çështje administrative.
Me parimin e Manjanit vazhdoj të jem dakord: burgjet nuk janë fletë-kampe. Por sot pyetja është tjetër. Nëse pretendimet e Veliajt vërtetohen, kemi përdorim të institucioneve të shtetit për të larë hesape politike. Nëse nuk vërtetohen, ato duhet të rrëzohen me fakte, duke filluar nga një shpjegim i thjeshtë: pse ministri nuk figuron në regjistrin e vizitave?
Sepse në një shtet demokratik askush nuk mund t’i thotë një të burgosuri sa vite do të bëjë, çfarë akuzash do t’i shtohen dhe çfarë duhet të dorëzojë për të shpëtuar.
Këtë e vendos ligji dhe gjykata. Jo kryeministri, jo ministri. Dhe as “të dërguarit” që hyjnë në burg pa lënë emrin në derë.
