Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Ministria e Arsimit nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi që shënon një hap të rëndësishëm drejt reformimit të sistemit të shërbimeve arsimore në Shqipëri, përmes krijimit dhe fuqizimit të Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA). Marrëveshja synon të transformojë institucionin përgjegjës për administrimin e provimeve kombëtare dhe shërbimeve të tjera kyçe arsimore, duke e orientuar atë drejt një modeli modern, autonom dhe të bazuar në standarde ndërkombëtare.

Ceremonia e nënshkrimit, e zhvilluar në Innovation Hub në Piramidën e Tiranës, mblodhi përfaqësues të lartë të institucioneve vendase dhe partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama, Kryetarin e Bordit të AADF-së z. Michael Granoff, bashkë-drejtuesit e AADF-së z. Aleksandër Sarapuli dhe z. Martin Mata, Ministren e Arsimit dhe Sportit znj. Mirela Kumbaro, si dhe ekspertë ndërkombëtarë nga Cambridge University Press & Assessment.

Screenshot 152
Screenshot 152

Kryetari i Bordit të AADF, z. Michael D. Granoff u shpreh se “Nëse dëshiron të kuptosh të ardhmen e një vendi, mjafton të shohësh sistemin e tij arsimor. Prandaj investimi në institucione të forta dhe të besueshme është kaq thelbësor. Ashtu si çdo ndërtesë, edhe arsimi ka nevojë për një themel të fortë. Pa institucione të besueshme dhe standarde të qarta, gjithçka që ndërtohet mbi to mbetet e brishtë. Studentët, mësuesit dhe e gjithë shoqëria duhet të besojnë tek integriteti dhe drejtësia e sistemit. Qëllimi ynë nuk është të shpikim modele të reja, por të sjellim në Shqipëri standardet dhe partneritetet më të mira ndërkombëtare, për të ndërtuar institucione që zgjasin.”

Screenshot 153
Screenshot 153

“Kjo marrëveshje vjen në vijim të miratimit të kuadrit të ri ligjor për krijimin e AKSHA-së, e cila do të funksionojë si një agjenci autonome nën varësinë e Ministrisë së Arsimit. Roli i saj do të jetë të rrisë cilësinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e shërbimeve që lidhen me vlerësimin dhe certifikimin në sistemin arsimor shqiptar.

“Jemi në një moment që vjen si nevojë e natyrshme për t’u zgjeruar, dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm në kapacitete apo organizim administrativ, por në një qasje të re që përtej mureve e sallave, reformon shërbimet dhe modernizon sistemet duke iu përgjigjur ritmeve që na dikton koha digjitale në arsim dhe çdo sektor tjetër. Ka qenë një punë kolosale, falë së cilës kemi tashmë një model të përbashkët për rritjen e cilësisë, besueshmërisë dhe modernizimit të sistemit të vlerësimit në Shqipëri. Me AADF, përmes nënshkrimit të Marrëvehsjes së re, hyjmë në një fazë tjetër ku është pikërisht mbështetja e një donatori si Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim që na mundëson ekspertizën e një prej qendrave më të mira globalisht të vlerësimeve, siç është Qendra e Vlerësimeve të Kembrixhit.” – u shpreh Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Screenshot 155
Screenshot 155

Në këtë kuadër, AADF do të mbështesë ndërtimin e kapaciteteve institucionale të AKSHA-së përmes përmirësimit të proceseve operacionale, forcimit të transparencës dhe integritetit, si dhe përshpejtimit të transformimit dixhital të shërbimeve. Marrëveshja formalizon një plan të përbashkët veprimi të hartuar me Ministrinë e Arsimit dhe institucionin përkatës, me fokus në ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Mbështetja do të përqendrohet në disa drejtime strategjike:
✔ zbatimin e kuadrit të ri ligjor dhe organizativ,
✔ forcimin e sistemeve dhe proceseve të brendshme,
✔ investimin në teknologji dhe dixhitalizim,
✔ si dhe krijimin e një baze të qëndrueshme financiare për funksionimin e agjencisë.

Një komponent kyç i këtij transformimi është bashkëpunimi me Cambridge University Press & Assessment, e angazhuar nga AADF për të ofruar ekspertizë ndërkombëtare. Ky partneritet ka përfshirë një studim fizibiliteti dhe hartimin e një plani strategjik 10-vjeçar për zhvillimin e institucionit, duke u fokusuar në përmirësimin e modeleve të operimit, zgjerimin e shërbimeve të testimit dhe integrimin e teknologjive të avancuara.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama theksoi se “Sjellja në Shqipëri e standardeve të ekselencës si ato të Cambridge është një investim për një sistem arsimor më të drejtë, më modern dhe më të besueshëm. Institucionet e forta ndërtohen mbi besimin. Dhe besimi vjen kur proceset janë të drejta, transparente dhe të mbrojtura nga çdo ndërhyrje. Sot po hedhim një tjetër hap shumë të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve arsimore, duke vendosur teknologjinë dhe standardet ndërkombëtare në funksion të meritës, transparencës dhe cilësisë.”

Screenshot 154
Screenshot 154

Ndërhyrjet e propozuara synojnë rritjen e efikasitetit dhe transparencës së proceseve të testimit, uljen e kostove dhe kohës së përpunimit të informacionit, si dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve, përfshirë testime për sektorin publik dhe privat, si dhe certifikime ndërkombëtare.

Ky bashkëpunim ndërtohet mbi një partneritet të mëhershëm mes AADF dhe Ministrisë së Arsimit, që daton që prej vitit 2018, dhe një investim të miratuar nga Bordi i AADF në vitin 2020 për krijimin e një qendre moderne testimi, me një vlerë totale prej $4,950,000.

Në kuadër të aktivitetit u prezantua gjithashtu vizioni për ambientet e reja të AKSHA-së, një hapësirë moderne prej rreth 3,500 m², e projektuar për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare në administrimin e proceseve të testimit dhe vlerësimit.

Ky partneritet reflekton qasjen e AADF për të investuar në modele transformuese dhe institucione të qëndrueshme, duke sjellë ekspertizë ndërkombëtare dhe duke ndërtuar sisteme që garantojnë cilësi dhe besim publik afatgjatë.

“Forcimi i institucioneve që garantojnë cilësi, integritet dhe besim publik është themelor për të ardhmen e arsimit. Ky bashkëpunim synon të mbështesë një model modern shërbimi publik, me ndikim afatgjatë,” u theksua gjatë ceremonisë.

Përmes kësaj iniciative, synohet një transformim thelbësor në mënyrën si administrohen dhe ofrohen shërbimet e vlerësimit në Shqipëri, duke vendosur standarde të reja për sistemin arsimor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb