Kuvendi i Malit të Zi ka vazhduar seancën e jashtëzakonshme, ku po diskutohet propozimi për votëbesimin ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviç.

Në një moment ka pasur një debat mes përfaqësuesve të PD-së dhe demokratëve, për çka kryeparlamentarja Danijela Gjuroviç ka ndërprerë për pak kohë seancën.

“Ose Gjukanoviçi ose Dritan Abazoviçi do të shkojë nga skena politike e Malit të Zi”, tha, mes tjerash, në një nga fjalimet e tij në Kuvendin e Malit të Zi, që po mbahet për votëbesimin e qeverisë së tij.

Gjatë seancës, e cila po vazhdon ende, deputetët janë të ndarë në votimin për fatin e qeverisjes së Abazoviçit, njofton RTCG.

Kështu, deputeti Boris Mugosha, nga SD, tha se priste që Abazoviç të jepte dorëheqjen dhe, kështu, të tregojë se nuk i intereson pozita.

Ai theksoi se në katër muaj Qeveria nuk ka propozuar asnjë ligj në fushën e ekonomisë, bujqësisë, punëve të brendshme, të drejtave të njeriut dhe të pakicave, shëndetësisë, sportit dhe rinisë, arsimit, kulturës, shkencës dhe zhvillimit teknologjik.

Ndërsa deputeti Koprivica deklaroi se jemi të gatshëm për të formuar qeverinë e re, Gjukanoviç është i detyruar të japë mandat.

Ai tha se janë të gatshëm të formojnë qeverinë e re, e cila do ta respektojë 30 gushtin brenda vullnetit të shprehur në zgjedhjet parlamentare.

“Presidenti Gjukanoviç është i obliguar që t’ia japë mandatin atij që sjell 41 nënshkrime”, tha Koprivica.

Seanca në Kuvendin e Malit të Zi është duke vazhduar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb