TIRANE

“Ndjenjë në mes të gjërave, vendi ku njerëzit shkojnë për të shpëtuar nga qyteti, por edhe për të qenë brenda tij”. Ky përcaktim për hapësirat e gjelbra nuk i shkon për shtat kryeqytetit tonë të dashur, të cilit cdo ditë e më shumë i zihet fryma nga ngushtimi i tyre.

Pamja që shohim kohët e fundit në qendër të tiranës, duket sa e shëmtuar aq edhe e cuditshme. Një projekt për rehabilitimin e parkut Rinia po zhvillohet që nga korriku i vitit 2019 duke krijuar një pamje të pakëndshme për syrin, dhe me ç’duket jofunksionale për një park çlodhës. Projekti duhet të përfundojë brenda 8 muajsh dhe deri tani kemi parë të rriten kodra me dhera dhe inerte të ardhura kushedi nga ku, që kanë zënë sipërfaqen e parkut dhe gjithë fushëpamjen.

Kështu edhe një park modest që kishim në qendër të Tiranës, nga një hapësirë e gjelbëruar po kthehet në një kompleks kodrash të sajuara me dhe.

Largohemi nga qendra e Tiranës, qytet të cilin natyra e ka rrethuar me kodra të vërteta. Por në Shqipëri njeriu ecën kundër natyrës. Në një shetitje te Kodra e Diellit sheh se nga lejet e ndërtimit kodra po gërryet dhe po e copëtohet në mënyrë të pamëshirshme. Gropat e hapura, të gatshme për të mbajtur themele betoni, duket sikur po gllabërojnë vetë hapësirën. Për më tepër, bëhen rrezik potencial erozioni dhe paqëndrueshmërie të tokës.

Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri ishte një mësim i mirë për të ndalur dorën që shkatërron natyrën. Këtë mësim duket se e kishte marrë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e këshillit bashkiak pas tërmetit.

Ky është absurdi i Tiranës; në hapësira te gjelbra ngrihen kodra artificiale, ndërsa kodrat natyrale gërmohen për t’u kthyer në sheshe ndërtimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb