Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj ishte sot i ftuari i Sokol Ballës në emisionin “Real Story” në News 24.

Ndërsa është shënuar një vit nga tërmeti i 21 shtatorit, Ahmetaj foli për procesin e rindërtimit të banesave të shembura nga dy tërmetet e 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, ndërsa u shpreh se procesi po vijon me shpejtësi.

“Përtej retorikës së opozitës e cila do të gjejë vendin e vetë tek rindërtimi, unë me përgjegjësi zyrtare them që është proces shembull në aspektin e shpejtësisë por edhe në adresimin e çështjeve mikro, që janë familjet me dëme nga më të lehtat tek më të rëndat. Ne nuk do arrijmë kurrë të kompensojmë humbjet e njerëzve në ato dy ngjarje (tërmetet), por ne kemi për detyrë ta lehtësojmë sa më shumë dhimbjen e tyre. Në TV ka edhe dalje emocionale të qytetarëve që për shkak të padurimit të tyre emocional duket sikur janë lënë pas dore. Dua t’ju them që ka çështje që nuk mbarojnë për 1 apo 2 ditë. Procesi i rindërtimit është shembull. Mos harroni që janë bërë procedurat nga e para, ligjet nga e para, projektet prokurimet dhe fillimi i ndërtimit, gjetja e fondeve ishte një histori më vete, po ashtu edhe kuadrimi i buxhetit.

Ne kemi filluar të dorëzojmë çelësat e shtëpive individuale. Në 26 nëntor do ketë seri të tërë shkollash që do dorëzohen.

Ligji organik i rindërtimit ka katër programe kryesore programi i parë është ai granteve që janë para cash nga buxheti i shtetit për familjet me dëme nga DS1 në DS3, që marrin nga 1 milion deri në 5 milion lekë. Shuma e vlerësuar edhe në shpërndarje shkon 9,8 miliardë lekë. Ne i japim para bashkia ia jep individit që t’i bëjë dëmet vetë.

Është përgjegjshmëri kjo që po bëjmë ne. Qeveria iu gjend njerëzve ditën që kishin nevojë. A tu gjet në 26 nëntor? A po ta bën shtëpinë? Këtë pyetje ju bëj qytetarëve dhe sigurisht që qeveria iu gjend. Nga granti përfitojnë më shumë se 27 mijë familje”,- tha ai.

Por a mund të ketë abuzime në rastet e dorëzimit të parave cash te qytetarët që do të duhet t’i riparojnë vetë dëmet? Ministri Ahmetaj tha se bashkiak i monitoron qytetarët por nuk i detyron dot ata të riparojnë dëmet.

“Bashkia e ka për detyrë të ndjekë punimet në këto shtëpi. Me të vërtetë i merr lekët por të vjen bashkia dhe të shikon. Shteti s’ka detyrë të vijë me detyrim dhe të të thotë rregullo murin e shtëpisë. Nuk jemi në komunizëm apo diktaturë t’i them bëj murin ose të arrestoj”, sqaroi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: