NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Mirëmbajtja e ambienteve të përbash këta është shumë e vështirë, dhe ka një sërë problemesh, të cilët kërkojnë zgjidhje emergjente, e cila mund të realizohet me zgjedhjen e asambleve dhe administratorëve të pallateve. Normalisht, nëse banon në një pallat në Tiranë, je me qira apo ke një apartament në pronësi do të paguash detyrimet për hapësirat e përbashkëta. Ku përfshihen pastrimi i shkallës, mirëmbajtja e pompës së ujit, ashensori apo edhe ndriçimi i shkallës.

Në shumë komplekse pallatesh të reja në kryeqytet ka administratorë, të cilët e bëjnë këtë punë kundrejt një pagese mujore dhe kanë marrë përsipër të mirëmbajnë një grup pallatesh. Në një pozicion të tillë është edhe Lek Tushaj, i cili prej 11 muajsh administron një kompleks me 150 apartamente në zonën e “Misto Mames”.

Gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”, Tushaj tregon problemet që ai ka shpesh herë me banorët, siç është edhe vonesa në pagesa apo mos pagimi i tarifës prej 1 mijë lekësh në muaj për shërbimet që ofrohen.

“Janë rreth 40% e familjeve që nuk paguajnë. Dhe e çuditshmja është se ata që nuk paguajnë nuk janë ato familjet me më pak të ardhura apo pensionistët, por janë ata që janë në gjendje më të mirë ekonomike. Dhe një problem të ketë me ujin apo ashensorin ata që nuk paguajnë ngrenë zërin më tepër.”-tregon administrator Tushaj.

Zoti Tushaj, prej sa kohësh e administroni këtë kompleks pallatesh dhe sa është numri i familjeve apo i apartamenteve në këto objekte që ju i administroni?
Ende nuk kam bërë vitin, në janar bëj 1 vit të plotë, pra kam rreth 11 muaj që e bëj këtë punë. Kompleksi që unë administroj përbëhet prej 5 shkallësh, dhe ka një total prej 150 apartamentesh.

Sa është tarifa mujore që paguajnë banorët dhe cilat janë shërbimet që ata marrin?
Të administrosh hapësirat e përbashkëta është shumë e vështirë dhe ka përgjegjësi. Në këtë kompleks banorët paguajnë nga 1 mijë lekë në muaj me përjashtim të atyre që jetojnë në katet e para, të cilët e kanë tarifën të përgjysmuar, 500 lekë në muaj. Shërbimi që ato marrin janë ashensori, pastrimi dhe higjienizimi i shkallës, mirëmbajtja e pompave të ujit, ndriçimi, mirëmbajtja e lulishtes, shërbimi i garazhit dhe pompës së garazhit.

Sa është pagesa juaj mujore dhe çfarë paguhet tjetër me tarifën mujore që u japin banorët?
Pagesa e administratorit është caktuar nga banorët dhe është 30 mijë lekë në muaj. Pagesa të tjera mujore janë: pagesa e zonjës që lan shkallën, roja si dhe pagesa mujore për mirëmbajtjen e ashensorëve, sepse për një ashensor paguaj 7 mijë lekë në muaj, janë 5 shkallë i bie 35 mijë lekë në muaj. Pastruesja e shkallës e ka pagesën 25 mijë lekë në muaj, roja 20 mijë lekë. Problemi që kam me banorët është se nuk paguajnë të gjithë. Rreth 40% e banorëve të këtij kompleksi “Alfa 07”, nuk paguajnë detyrimin mujor. Dhe janë pikërisht ata që ngrenë zërin kur prishet pompa apo ashensori. Me pompat e ujit ne kemi shumë probleme pasi kjo zonë furnizohet me ujë pusi dhe nga papastërtitë dëmtohen shpesh. Një gjë tjetër që kam vënë re është se nuk paguajnë ata që kanë një gjendje më të mirë ekonomike, pasi ne kemi pensionistë që paguajnë rregullisht, por ama kemi pronarë të 3-4 apartamenteve këtu, pasi ka qenë toka e tyre ku është ndërtuar pallati, që nuk paguajnë asnjë lekë. Po të paguajnë të gjithë banorët sa u takon gjithçka do ishte më e lehtë.

Po tani me nismën që ka ndërmarrë bashkia për t’u licencuar si administrator do shkoni të regjistroheni?
Normalisht që po, unë kam një kontratë me banorët dhe ata më kanë votuar për të qenë administrator mes katër konkurrentëve që ishim në garë. Veç asaj jam edhe vetë banor në këtë pallat. Por deri tani nuk kemi pasur ndonjë kontakt me punonjës të bashkisë dhe nuk e dimë se si janë procedurat për t’u regjistruar.

(Gazeta Shqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb