Miratimi në seancën e 24 Nëntorit të projektligjit për Portin e Durrësit, ishte treguesi se si kryeministri Edi Rama përpiqet të fshihet pas firmës së zëvendësve të tij.

Nisma ligjore e miratuar në mbledhjen e qeverisë të datës 4 Nëntor, nuk mban firmën e kryeministrit Edi Rama, por të zëvendëses së tij Belinda Balluku, e cila u krenua se investimi strategjik me vlerë 2 miliardë euro, i hap rrugë një zhvillimi të ri të turizmit.

Por kryeministri Rama, jo vetëm që nuk e nënshkroi nismën ligjore, por as e votoi atë në seancën plenare.

Opozita e cila e konsideroi nismën si një aferë tërësisht korruptive, e paralajmëroi ministren Balluku për pasojat me të cilat mund të përballët ajo si nënshtruese e projektligjit.

“Kreu i qeverisë shpesh herë, në nisma ligjore apo vendime te qeverisë që kanë shkarkuar debat të madh politik ku është vënë në epiqendër të akuzave për korrupsion, ka përdorur taktikën të shndërruar në normë pune, duke mos nënshtruar vetë. Firmën ai e ka deleguar me porosi të vartësve të tij.

Duke u kthyer në kohë, ligji që solli shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar më 17 Maj 2020, nuk mban firmën e Edi Ramës, por të zëvendëskryeministres së kohës, Senida Mesi. Ligji u vlerësua nga opozita si akt korruptiv i kryeministrit Rama me qëllim përfitimin e truallit të Teatrit Kombëtar për të ndërtuar në të godina shumëkatëshe.

Më 5 Tetor të 2022, në mbledhjen e Qeverisë u miratua projekt ligji për një marrëveshje huaje në vlerën rreth 60 milionë dollarë, për vijimin e punës së ndërtimit të aksit rrugor, Qukës-Qafë Plloçë. Edhe në këtë nismë mungon firma e kryeministrit Rama. Drafti me porosi të kryeministrit është nënshkruar nga Zëvendëskryeministri Belinda Balluku. Edhe kjo hua shkaktoi debate të forta, pas akuzave se pas saj fshihet korrupsion qeveritar.

Këto janë vetëm disa nga shumë vendimet në të cilat nuk figuron firma e kryeministrit Edi Rama. Pikëpyetja që ngrihet, lidhet me faktin se kreu i qeverisë eviton firmosjen pikërisht me frikën për pasojat ligjore që mund të ketë në një të ardhme, nëse vendimet, pas shumë akuzave për korrupsion, i nënshtrohen hetimeve nga strukturat e specializuara të drejtësisë shqiptare”, tha deputeti demokrat Edmond Spaho.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: