Përleshjet ndërkufitare mes Afganistanit dhe Pakistanit kanë shkaktuar viktima në të dyja anët, duke shënuar një përshkallëzim të ri të tensioneve pavarësisht një armëpushimi të fundit.
“Në Afganistan, të paktën tre persona u vranë dhe 45 të tjerë — përfshirë fëmijë — u plagosën sot nga sulme me raketa të kryera nga Pakistani në provincën Kunar”, njoftoi sot një zyrtar lokal për “TOLOnews”.
Nga ana pakistaneze, tre civilë raportohet se u plagosën nga të shtënat me armë zjarri.
Një zëdhënës i forcave kufitare të Pakistanit e përshkroi incidentin në Uaziristanin Jugor si përplasjen më të rëndë, që nga shpallja e armëpushimit më shumë se një muaj më parë.
Sipas burimeve të “TOLOnews”, forcat pakistaneze qëlluan dje për vdekje një fëmijë pranë pikës kufitare “Friendship Gate”, në kufirin Afganistan–Pakistan, afër qytetit afgan, Spin Boldak.
Forcat talebane më pas u përfshinë në luftime me trupat pakistaneze në Spin Boldak, duke nxitur raundin e fundit të përplasjeve.
