Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, ka zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare në Ukrainë, ku është takuar me Presidentin Volodymyr Zelensky dhe ka drejtuar takimin e “koalicionit të të vullnetshmëve”. Burnham u zotua të vazhdojë presionin ndaj Rusisë, pavarësisht paralajmërimeve të ashpra që vijnë nga Moska.
Gjatë takimit me aleatët, Burnham bëri me dije se Londra është gati të dorëzojë skicat teknike për komponentët britanikë të raketës Scalp (versioni francez i Storm Shadow), çka do t’i mundësojë Ukrainës prodhimin e kësaj arme brenda territorit të saj. Kryeministri britanik theksoi se aleatët po shfrytëzojnë të gjitha rezervat për të mbrojtur hapësirën ajrore ukrainase, ndërsa i bëri thirrje Kongresit Amerikan të rrisë presionin ekonomik për t’i hequr Rusisë mundësinë e financimit të luftës.
Vendimi i Mbretërisë së Bashkuar ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Kremlinit. Zëdhënësi Dmitry Peskov e akuzoi Britaninë se po i hedh metodikisht benzinë zjarrit dhe po pengon çdo përparim drejt paqes, duke paralajmëruar se ushtria ruse po grumbullon të dhëna për të goditur çdo fabrikë të mundshme të prodhimit të raketave. I pyetur rreth akuzave të Moskës, Burnham u përgjigj shkurt: “Kush e nisi zjarrin?”, duke nënvizuar se Ukraina mbetet vija e parë e frontit që garanton sigurinë e të gjithë Evropës.
