Rebel dhe luftëtar! Skulptori i njohur Agim Rada, që u shua të martën në moshën 70-vjeçare për shkak të një sëmundjeje të rëndë, do të mbahet mend për veprat që la pas dhe shembullin vetiak si një artist që mendoi deri në fund për ata artistë që jetën ua preu sistemi diktatorial. Gjatë vitit të fundit ai e ktheu shtëpinë e tij në muze si homazh për artistët e dënuar. Bashkëpunëtori i tij në këtë projekt, Dritan Gremi, rrëfen nxitjen.
“Një nga arsyet që unë u dashurova dhe e mora atë shtëpi ishte afresku që kishte pikturuar në një periudhë të keqe të jetës së tij. Në atë afresk del jashtë urrejtja që ai kishte ndaj sistemit, padrejtësive dhe mbytjen e drejtës së fjalës”, thotë Gremi.
Prej një viti Rada vuante nga problemet shëndetësore, por miku i tij rrëfen se nuk u dorëzua.

“Jam shumë i lumtur që vitin e fundit, arrita të jem pranë me të. Di të them që Gimi ka luftuar, ka luftuar shumë e fort, nuk dua të ndalem në aspekte personale. Luftoi për jetën që e donte shumë, luftonte për ëndrrat që ai kishte shumë, luftoi për projektet se kishte shumë të tilla, Gimi ishte fëmijë në natyre, në kuptimin që kishte ëndrra”, tregon Gremi.

Pas një ceremonie private sipas dëshirës së tij, Agim Rada do të prehet në Petrelë, duke marrë me vete ëndrrat dhe pengjet për veprat që mbetën në studio.
“Gimi nuk ishte njeri që kishte pengje, peng mund të quajmë bustin e Fishtën që nuk u vu në qytet dhe projekti i Nënë Terezës te Kodrat e Liqenit, që nëse do të ketë një ditë një tempull për Nënë Terezën do të jetë edhe falë Agim Radës”,tha Gremi.
Skulptori është autor i dhjetra veprave të njohura për personalitete të vendit.

(News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb