Nga Adrian Progni
Bardhyli, Agroni, Teuta, Glauku, Longari, Bato, Monuni, Mytili, Genti… A nuk mjaftojnë këta emra për të ndezur imagjinatën e një artisti? A nuk mbartin ata histori, dramë, madhështi, tragjedi, qëndresë dhe frymëzim të mjaftueshëm për të krijuar vepra arti me përmasa kombëtare e universale?
Gjatë kërkimeve të mia për kujtesën evropiane të Teutës, kam zbuluar dhjetëra gravura të artistëve evropianë që e kanë përjetësuar mbretëreshën ilire si një figurë frymëzuese të trimërisë, pushtetit dhe qëndresës. Ndërsa Evropa e ka sjellë Teutën në artin e saj, për shekuj me radhë, unë pyes veten: ku janë artistët shqiptarë përballë kësaj pasurie historike?
Nuk kam asgjë kundër artit modern, abstraksionit, natyrës së qetë apo një pikture me fiq, kumbulla, rrush e pjeshka. Arti ka lirinë e vet dhe çdo artist ka të drejtën të zgjedhë botën që dëshiron të shprehë. Por kur galeritë tona mbushen me forma abstrakte e fruta, ndërsa mbretërit, mbretëreshat, luftëtarët dhe ngjarjet që kanë shënuar historinë e Ilirisë mbeten pothuajse të papërfaqësuara në artin bashkëkohor, atëherë lind një pyetje që nuk mund ta shmangim:
A kemi një varfëri të imagjinatës artistike kombëtare, apo kemi humbur lidhjen krijuese me historinë tonë?
Ku janë pikturat monumentale të Teutës, që sfidoi Romën? Ku janë portretet e Gentit, Agronit e Bardhylit? Ku janë betejat, oborret mbretërore, flotat ilire, qytetet, simbolet dhe bota e lashtë që pret të rilindë përmes penelit të artistëve tanë? Ku janë veprat që do t’ua përcillnin brezave jo vetëm emrat, por edhe madhështinë dhe kompleksitetin e kësaj të kaluare?
Historia ilire nuk është thjesht një kapitull në librat e historisë. Ajo është një univers i tërë artistik, i mbushur me personazhe, konflikte, pushtet, dashuri, ambicie, tragjedi dhe qëndresë. Është një pasuri që mund të frymëzojë pikturën, skulpturën, grafikën, ilustrimin, filmin dhe çdo formë tjetër të artit.
Nëse artistët evropianë kanë gjetur te Teuta një figurë që meritonte të përjetësohej në gravura, pse artistët tanë nuk duhet ta shohin atë si një burim të pashtershëm frymëzimi? Pse duhet që figurat tona historike të na kthehen kaq shpesh përmes penelave dhe imagjinatës së të tjerëve, ndërsa ne t’i lëmë në heshtjen e librave?
Një komb nuk e ruan kujtesën vetëm duke shkruar historinë e tij. Ai e ruan edhe duke e kthyer atë në imazh, në ngjyrë, në formë dhe në vepra arti që flasin përtej kufijve dhe brezave.
Ndoshta pyetja nuk është pse artistët tanë pikturojnë abstraksione apo fruta. Pyetja e vërtetë është: pse historia jonë e lashtë nuk zë vendin që meriton në imagjinatën e artit shqiptar?
Teuta, Genti, Agroni, Bardhyli dhe të tjerët nuk janë vetëm emra të së kaluarës. Ata janë personazhe që presin të rilindin në art.
Dhe unë besoj se një ditë do të vijë koha kur, në galeritë shqiptare, krahas çdo rryme moderne, do të shohim edhe një art që e njeh, e interpreton dhe e përjetëson historinë tonë ilire me dinjitetin që ajo meriton.
Sepse një histori që nuk frymëzon artin e vet rrezikon të mbetet vetëm e shkruar, ndërsa një histori që bëhet art fiton një jetë të re.
Sqarim për fotografinë: Fragment ilustrimi i hyrjes solemne të Joanës së Kastiljes në Bruksel, më 9 dhjetor 1496, ku Teuta përshkruhet si “Mbretëreshë e ilirëve”, që mposhti disa herë legjionet romake dhe mbeti “e pa përkulur, e shkëlqyer si në armë, ashtu edhe në virgjëri”.
Kjo dëshmi e jashtëzakonshme e paraqet Teutën si simbol të trimërisë, qëndresës dhe virtytit në kujtesën europiane të fundit të Mesjetës.
Burimi: Einzug der Johanna von Kastilien in Brüssel am 9. Dezember 1496, Kupferstichkabinett, Staatliche Museen zu Berlin.
